Marc Marquez shpërtheu në festë menjëherë pasi kaloi vijën e finishit në pozitën e tetë në garën e zhvilluar në Portimao.
Në krah të tij ishte Jorge Martin, rivali i tij kryesor në vitin 2026, i cili priti në kthesën e parë për ta uruar i pari. Ndërkohë, ekipi dhe njerëzit e tij festonin triumfin e titullit të dhjetë botëror, shkruan media spanjolle “Marca”.
Ky titull erdhi pas rikthimit më të madh në historinë e MotoGP-së, por edhe pas një rruge të vështirë, në të cilën spanjolli kaloi momente kur gjithçka dukej e humbur.
“Titulli i nëntë ishte ai me të cilin u pajtova me veten, ndërsa ky i dhjeti është për tifozët që kanë besuar gjithmonë tek unë”, deklaroi Marquez para tifozëve, duke ngritur lart numrin 10.
I emocionuar pas triumfit historik, Marquez tha: “Duhet të mbetemi te lumturia që po përjetojmë. Nuk di çfarë të them tjetër, përveçse po festojmë një moment historik. E di gjithashtu se sa shumë kam vuajtur dhe se njerëzit e mi të afërt dhe tifozët kanë besuar tek unë më shumë sesa kam besuar vetë. Prandaj vazhdova të luftoja dhe dhashë maksimumin”.
Ai falënderoi edhe drejtuesin e Ducati-t, Gigi Dall'Igna, për mbështetjen dhe besimin.
Marquez kujtoi momentet e vështira pas lëndimit në Le Mans, kur kishte dyshime serioze nëse do të mund të vazhdonte karrierën.
“Në Le Mans isha i shkatërruar. Njerëzit që më rrethonin kishin më shumë besim tek unë sesa unë vetë. Në atë moment nuk prisja asgjë. Mendoja se do t'i nënshtrohesha një operacioni dhe pastaj do të shihnim nëse mund të vazhdoja. Por vendosa të vazhdoja”, tha ai për DAZN, duke e pasur të vështirë t'i përmbante emocionet.
Ai theksoi se kishte ndjekur instinktin e tij dhe kishte punuar çdo ditë për t'u rikthyer në nivelin më të lartë.
“Vazhdova të punoja si gjatë gjithë karrierës sime, nga e hëna deri të dielën, duke menduar vetëm për motorin. Edhe njerëzit e mi u përshtatën me mënyrën time të jetesës. Në vitin 2025 u pajtova me veten, ndërsa këtë titull ia kushtoj familjes, njerëzve të mi dhe gjyshërve e gjysheve të mia që më shikojnë nga lart”.
Kampioni spanjoll shpjegoi se titulli i këtij sezoni ishte krejt ndryshe nga ai i mëparshmi.
“Vitin e kaluar ishte një titull me shumë presion, kënaqësi dhe instinkt. Ky është titull i përshtatjes. Nuk veproja vetëm sipas instinktit, por përshtatesha me rrethanat, me atë që mendonte ekipi dhe me këshillat e njerëzve që më rrethonin”.
Më pas, ai përdori një krahasim interesant nga loja e shahut:
“Mbreti ishte në shah, por kishte shkathtësinë e mbretëreshës dhe këtë ata nuk e dinin”, u shpreh Marquez.
Megjithatë, kampioni nuk deshi të jepte shumë detaje për planet e tij.
“Mbreti ka qenë mbret, vitin e ardhshëm do ta shohim”, përfundoi Marquez me buzëqeshje.