Oferta e gjakovarit për prokurorin: Të gjej drogë sa të duash! - Bota Sot
Oferta e gjakovarit për prokurorin: Të gjej drogë sa të duash!

Gjakova

Oferta e gjakovarit për prokurorin: Të gjej drogë sa të duash!

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 06:56
Gjykimi për drogë

Tre dëshmitarë kanë dhënë dëshminë në procesin gjyqësor ndaj 8 të akuzuarve për mbajtje e shitje të substancave narkotike.

Dëshmitarët B.A., Armend Zhubi dhe Labinot Thaqi kanë dëshmuar në Gjykatën e Gjakovës në gjykimin e Bekim Haxhibeqirit, Donald Haxhibeqirit, Denis Lushit, Marinero Merdinit, Egzon Haxhibeqirit, Fisnik Shllakut dhe Kreshnik Shllakut, të cilët nga Prokuroria e Gjakovës po akuzohen për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për veprën penale të  dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në lidhje me këtë rast, dëshmitari Labinot Thaqi, gjatë dëshmisë së tij i ofroi ndihmë prokurorit në gjetjen e substancave narkotike.

“Nëse jeni i interesuar deri në 60-70 euro të bleni drogë, nëse shkojmë në ndonjë kafe, kamerieri të gjen drogë aq sa ti i kërkon”, i tha dëshmitari prokurorit.

Duke treguar shoqërinë e tij që kishte me të akuzuarin Donald, ai tha se nuk i kujtohet se çfarë kishte deklaruar në Polici, me arsyetimin se është i varur prej alkoolit e drogës.

“Kam konsumuar substanca narkotike të ndryshme, kokainë më shumë, por asnjëherë nuk kam shitur e as nuk kam blerë nga Haxhibeqirët”, shtoi dëshmitari Labinot Thaqi.

Gjykimi i sotëm u drejtua nga kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me gjyqtarët Manduhije Syla dhe Njazi Morina.

Ndërsa dëshmitari B.A. tha se me familjen e Haxhibeqirëve është në hasmëri prej vitit 2005.

“Më herët kam qenë konsumues i substancave narkotike sepse kam qenë i traumatizuar dhe në rehabilitim psiqik, mirëpo asnjëherë nuk kam blerë drogë prej Bekimit ose Donald Haxhibeqirit”, tha dëshmitari B.A.

Ai kërkoi nga Gjykata që deklaratën e tij të dhënë në Polici mos ta marrin për bazë, sepse i njëjti atëherë kishte qenë tërësisht i droguar.

Tetë të akuzuarit edhe sot u deklaruan të pafajshëm për akuzat e prokurorit Ali Uka.

Ndërsa dëshmitari tjetër Armend Zhubi deklaroi se të akuzuarit Bekim e Donald Haxhibeqiri i kishte fqinj.

“Prej frikës që kisha në Polici kam thënë gjëra që nuk janë të vërteta, por unë as nuk blej e as nuk konsumoj drogë, e aq më pak prej kojshisë”, tha dëshmitari Armend Zhubi.

Në lidhje me këtë rast munguan edhe 9 dëshmitarë të tjerë të ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata.

Gjyqtari Shaqir Zika caktoi datat 10 dhe 17 janar për seancat e ardhshme të këtij gjykimi.

Një seancë e këtij gjykimi kishte dështuar për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

Bekim  Haxhibeqiri, Donald Haxhibeqiri, Denis Lushi, Marinero Merdino, Egzon Haxhibeqiri, Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku, po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktakuzës të akuzuarve dyshohet se u janë gjetur dy qese plastmasi me narkotikë-kokainë me peshë 0.63 gram dhe 0.41 gram, e më pas i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8.33 gramë narkotik të llojit kokainë, një peshore digjitale dhe një pjatë e qelqit për përzierjen e narkotikut.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për veprën penale të  dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shehu i ka ndihmuar familjarët e të akuzuarve, duke i kërkuar borxhet e blerësve të substancave narkotike.

Bekim Haxhibeqiri po akuzohet edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër edhe e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës, Bekim Haxhibeqiri pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion të cilat janë konfiskuar nga Policia./Kallxo/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...