Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë reagon për incidentin me shaminë në shkollë

Gjakova

Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë reagon për incidentin me shaminë në shkollë

Më: 1 prill 2022 Në ora: 17:26
Gjakovë

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova, tha se vendosja e shenjës së shamisë si ndalesë në hyrjen e shkollës së mesme teknike në këtë komunë është veprim i pamatur i menaxhmentit të shkollës.

Kumnova tha poashtu se pasi është njoftuar për shenjën e vendosur ka kërkuar largimin e saj.

“Sapo jam njoftuar për simbolet e vendosura në SHM Teknike Nexhmedin Nixha e kam kontaktuar drejtoreshën e shkollës dhe i kam kërkuar t’i largojë. E kemi verifikuar objektin e shkollës dhe e kemi vlerësuar që janë larguar”, tha Kumnova.

Ajo e cilësoi si veprim të pamatur vendosjen e simbolit të shamisë dhe se rastet të tilla s’do të lejohen të përsëriten në asnjë shkollë.

“Ne e kemi vlerësuar që ky është një veprim i pamatur nga ana e menaxhmentit të shkollës dhe se veprimet e tilla nuk guxojnë dhe nuk do të lejojmë të përsëriten në asnjë shkollë. Për këtë rast do të bazohemi në Ligjin NR.06/L-114 për zyrtarët publikë dhe të ndërmarrim masat e nevojshme bazuar në këtë ligj”, tha ajo në një përgjigje.

Tutje, Kumnova u shpreh se shenja të tilla nuk ka në dhe nuk do të ketë në asnjë shkollë tjetër në Gjakovë.

Pas reagimeve lidhur me vendosjen e shenjës së shamisë si ndalim hyrje në objektin e shkollës në Gjakovë, drejtoresha e Shkollës ka marrë kërcënime dhe ka hapur sot rast në polici.

E para që ka reaguar ka qenë deputetja Duda Balje, reagimin e së cilës drejtoresha Gjergjaj e ka quajtur si linç.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat