​Banorët shprehin kërkesat e tyre para qeverisë lokale në Gjakovë

Gjakova

​Banorët shprehin kërkesat e tyre para qeverisë lokale në Gjakovë

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 12:41
Komuna e Gjakovës sot ka mbajtur debat publik

Komuna e Gjakovës sot ka mbajtur debat publik me qytetarët e kësaj komune të cilët kërkuan investime në infrastrukturë rrugore, ndriçim dhe kanalizim. Në këtë takim nuk ishte i pranishëm kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini pasi ndodhej në Prishtinë për tu takuar me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Kurse, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjakovës, Arbëresha Kuçi uroi qe numri i qytetarëve që marrin pjesë në këto diskutime publike të rritet.

Kuçi: Uroj qe të rritet numri i qytetarëve që do të jenë pjesë e dëgjimeve publike

“Uroj qe të rritet numri i qytetarëve që do të jenë pjesë e dëgjimeve publike të gjitha aktiviteteve qe organizon Komuna e Gjakovës për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje në këtë takim jemi mbledhur bashkë për të dhënë një raport gjashtëmujor të punës të qeverisjes lokale qe e kemi bërë prej kur e kemi marr mandatin”, tha ajo.

Pjetër Hajdari nga fshati Lugbunar, kërkoi qe një rrugicë në këtë lagje që janë 17 shtëpi, të shtrohet me asfalt.

Hajdari: Duam që rruga “Nikaj” të shtrohet me asfalt

“Rruga ‘Nikaj’ por ka edhe rrugë të tjera kemi mungesë për rrugë të asfaltuara përafërsisht është një kilometër, 17 shtëpi është qe lidhet me atë 1 km edhe disa herë kam bërë kërkesë për t’u takuar me kryetarin por nuk e ka gjet mundësinë dhe kohën”, u shpreh ai.

Lidhur me infrastrukturën rrugore, drejtori i Shërbimeve Publike në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, deklaroi se në shumë raste ka probleme që lidhen me pronësinë.

Kastrati: Kemi probleme me pronat

“Prej vullnetit të mirë për t’i shtruar të gjitha rrugët ka ndodh që na ka ik ndonjë rrugë që ka qenë parcelë publike por në pronësi private... Të gjitha këto rrugica që vlen edhe për komunitetin ashkali por edhe për komunitetet e tjera por edhe për të gjithë komunitete të tjera se kryesisht kemi probleme me prona të komunitetit ashkali, edhe me shqiptarët nuk është që nuk kemi probleme, duhet me u marr me verifikim të pronësisë së pari secilën rrugicë që jemi duke e shtruar nga viti i kaluar është urdhër i kryetarit të verifikohet çështja e pronësisë”, u shpreh ai.

Zgjidhje për komunitetet në para lagjen Brekoc kërkoi edhe Haxhi Vraniqi.

Vraniqi: Kërkesa jonë në vesh të shurdhër

“Shumë kërkesa kemi pas ndaj kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, ndaj ujërave që po rriten nga Ereniku që i mori ato nëntë familje e morën përgjegjësi qe do ta bëjnë transferin e atyre familjareve megjithatë ne vesh të shurdhër”, tha ai.

Florent Elshani nga komuniteti egjiptian në lagjen “Qyl” kërkoi të krijohen disa pengesa rrugore në këtë lagje dhe po ashtu ndriçim.

Elshani: Kërkojmë disa pengesa rrugore dhe ndriçim

“Qe disa muaj jemi duke bërë kërkesa për atë lagje për ndriçim per rrugën ‘Shtjefan Gjeqovi’ për murin qe është te KosovaTrans-i... e kemi edhe një kërkesë tjetër për pengesat në rrugë, para 8 muajsh ka ndodhur një aksident ku është shkel vajza e axhës tim, kam bërë kërkesë dhe se asnjë përgjigje nuk kam marr”, u shpreh ai.

Por drejtori i Shërbimeve Publike në Gjakovë, Shkumbin Kastrati tha se kjo çështje është bllokuar në OSHP.

Kastrati: Lënda është në OSHP

“Është përzgjedhur operatori ekonomik në shkurt apo fillim të marsit dhe kemi menduar qe nënshkruhet kontrata meqenëse Organi Shqyrtues Publik është jofunksional, lënda e policëve të shtrirë dhe sinjalizim është në Prishtinë”, theksoi ai.

Të pranishëm në këtë takim ishte edhe nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj dhe drejtorët e tjerë komunalë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat