Përurohet Impianti i Ujërave të Zeza në Komunën e Gjakovës, i treti në dy vitet e fundit

Gjakova

Përurohet Impianti i Ujërave të Zeza në Komunën e Gjakovës, i treti në dy vitet e fundit

Më: 11 maj 2023 Në ora: 14:26
Foto nga vendngjarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sot në përurimin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Komunën e Gjakovës, ku tha se Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

Ky është impianti i tretë, që si Kryeministër po e inauguroj gjatë dy viteve të fundit, theksoi kryeministri Kurti, teksa dhe shtoi se partnerët zhvillimorë janë partnerë, jo vetëm për financimin e projekteve të këtilla, por edhe për përvojën dhe praktikat më të mira, që i sjellin tek ne nga vendet e tyre, për të operuar impiante të tilla, që janë akoma risi për neve.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me Republikën Federale të Gjermanisë dhe Konfederatën Zvicerane, duke përmendur që për këtë projekt, Banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar me 6 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar edhe 3.2 milionë euro.

Kryeministri Kurti shtoi më tutje se pas përurimit të impianteve të ujërave të zeza në Prizren, Pejë e Gjakovë, do të vazhdohet me punën për impiantin në Gjilan, që do të kushtojë 23 milionë euro, në Mitrovicë, për investim 40 milionësh dhe në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kap vlerën rreth 160 milionë euro.

“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kryeministri, duke shtuar më tutje se jemi gati për të filluar ndërtimin e tri impianteve të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, së bashku me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe kështu, synojmë që në 5 vitet e ardhshme të kemi 7 kryeqendra me impiante.

Ai tha se sfidë e këtij projekti është kostoja për mirëmbajtjen dhe operimin e impiantit dhe se një nga shpenzimet më të mëdha për ujësjellësit është rryma elektrike. Prandaj, Qeveria është angazhuar dhe ka ndarë fonde, si dhe po negocion me partnerët zhvillimor, për të punuar në efiçiencën e energjisë.

Duke falënderuar stafin e KRU Gjakova për punën e palodhshme, të cilët arritën të arritën në kompletimin e kësaj vepre, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës synon të sigurojë, që investimet në mjedis do të jenë të qëndrueshme dhe të përfitojnë i gjithë komuniteti.

Pas fjalëve hyrëse dhe ceremonisë së përurimit, Kryeministri Kurti pa nga afër impiantin dhe punën që zhvillohet nga ky impiant.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj, Jorn Rohde, Ambasador i Gjermanisë,

Shkëlqesia Juaj, Thomas Kolly, Ambasador i Zvicrës,

I nderuari Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

I nderuar, Ardian Gjini, Kryetar i Komunës së Gjakovës,

E nderuara Mimoza Kusari Lila, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Hasan Krasniqi, Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova,

I nderuari Moritz Reme, Drejtor i Zyrës Regjionale të Bankës Gjermane për Zhvillim,

I nderuari Laurent Torche, Zëvendësdrejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim,

I nderuar Getoar Mjeku, Zëvendësministër i Ekonomisë,

E nderuara Fjolla Lasku Hoti, Shefe e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Gjakovë,

Kjo ngjarje sot në Komunën e Gjakovës është një hap më tutje për mbrojtjen e mjedisit tonë. Ky është impianti i tretë që si Kryeministër e inauguroj gjatë dy viteve të fundit. Partnerët zhvillimorë janë partnerë, jo vetëm për financimin e projekteve të këtilla, por edhe për përvojën dhe praktikat më të mira, që i sjellin tek ne nga vendet e tyre, për të operuar impiante të tilla, që janë akoma risi për neve.

Për realizimin e këtij projekti, i jemi mirënjohës bashkëpunimit tonë me Republikën Federale të Gjermanisë dhe Konfederatës Zvicerane. Banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar 6 milionë euro, qeveria zvicerane 7,6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar 3,2 milionë euro për të realizuar me sukses një nga nismat më të rëndësishme të vendit për mbrojtjen e mjedisit.

Me këtë investim, kemi mundësuar që lumi Drini i Bardhë të pastrohet nga burimi në Radacë të Pejës, i njohur edhe si Kryedrin deri në Vlashnjë të Prizrenit, afër Shqipërisë. Kjo përfshin tri pikat më të mëdha të shkarkimit, por jemi të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë punën duke përfshirë edhe komunat e tjera. Rrjedhimisht, përveç mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik, po parandalojmë edhe ndotjen e ujërave ndërkufitare me Shqipërinë. Kjo dëshmon se Kosova i jep rëndësi përgjegjësisë si fqinj i parë sipër rrjedhës së pellgut të Drinit dhe ka një dimension edhe regjional.

Që lumenjtë tanë të jenë të pastër, që burimet e ujit të jenë të sigurta dhe që shëndeti publik të jetë i mbrojtur, kërkohet punë dhe investime. Pas përurimit të impianteve të ujërave të zeza në Prizren dhe në Pejë, ky i Gjakovës është i treti me radhë. Ndërsa po vazhdojmë punën për impiantin në Gjilan, që do të kushtojë 23 milionë euro, në Mitrovicë, për investim 40 milionësh dhe në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kap vlerën rreth 160 milionë euro.

Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor. Së fundmi, kemi nisur zbatimin e projektit me Bashkimin Evropian, qeverinë gjermane dhe atë franceze për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura të kryeqytetit, pra Prishtinës, së bashku me komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe të Graçanicës.

Jemi gati për të filluar ndërtimin e tre impianteve të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, së bashku me Bankën Evropiane për Zhvillim. Kështu, synojmë që në 5 vitet e ardhshme të kemi 7 kryeqendra me impiante. Për ne si Qeveri, kjo është e rëndësishme, sepse plotësojmë kriteret për integrim në Bashkimin Evropian, dhe kështu, së bashku, dëshmojmë se mbrojtja e mjedisit është prioritet.

Sfidë e këtij projekti është kostoja për mirëmbajtjen dhe operimin e impiantit. Një nga shpenzimet më të mëdha për ujësjellësit është rryma elektrike. Për këtë arsye, Qeveria është angazhuar dhe ka ndarë fonde, si dhe po negocion me partnerët zhvillimor, për të punuar në efiçiencën e energjisë. Planifikojmë të vendosim panele solare për të zvogëluar kërkesën e energjisë termike dhe njëkohësisht, të mbrojmë mjedisin e të ngrisim performancën financiare të kompanive. Kompanitë Rajonale të Ujit kanë edhe një sërë sfidash, që po përpiqemi t'i adresojmë së bashku, për të siguruar furnizim me ujë cilësor.

Mbrojtja e mjedisit dhe ujërave është një sfidë shumëdimensionale. Për të adresuar këtë çështje, qeveria po i kushton vëmendje një elementi kyç, siç janë mbeturinat, të cilat aktualisht janë ndotësit më të mëdhenj të ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë. Përgjatë dy viteve Kosova ka siguruar më shumë se 100 milionë euro grante nga partnerët tanë evropianë për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

Shumë shpejt do të fillojë rehabilitimi dhe zgjerimi i deponive sanitare dhe komunale në nivel të Kosovës. Qeveria e Kosovës synon të sigurojë që investimet në mjedis do të jenë të qëndrueshme dhe të përfitojnë i gjithë komuniteti. Kjo është e mundur falë kontributit të qytetarëve tanë, të cilët, me pagesat e tyre për shërbimet që i marrin, ndihmojnë në krijimin e një ambienti më të mirë për të gjithë. Falënderoj stafin e KRU Gjakova që, me punën e tyre të palodhshme, arritën kompletimin e kësaj vepre.

Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore. Ne jemi të përkushtuar për të ndihmuar vendin tonë të arrijë objektivat e tij të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit dhe për të treguar përkushtimin tonë të palëkundur për integrim në Bashkimin Evropian. Këto përpjekje të përbashkëta do ta ndihmojnë Kosovën të jetë një vend më i mirë, shumë më i mirë për të gjithë neve.

Ju faleminderit e urime!

Më shumë foto, gjeni në linkun më poshtë!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat