Nëna nga Gjakova i mbijetoi operacionit 7-orësh në QKUK, por humbi binjakët - Bota Sot
Nëna nga Gjakova i mbijetoi operacionit 7-orësh në QKUK, por humbi binjakët

Gjakova

E premte, 19 tetor 2018

Nëna nga Gjakova i mbijetoi operacionit 7-orësh në QKUK, por humbi binjakët

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 15:27
Klinika e Gjinekologjisë

Muaji dhjetor mund të ketë qenë fatal për 37-vjeçaren nga Komuna e Gjakovës, Arlinda Himaj. Në javën e 25-të të shtatzënisë me binjakë, asaj i janë paraqitur komplikime, duke e çuar kështu në një gjendje shoku, si pasojë e gjakderdhjes së madhe. Për ta mbajtur Arlindën në jetë, mjekët e QKUK-së punuan më shumë se shtatë orë në sallën e operimit. U deshën më shumë se 20 doza gjaku, që nëna nga Gjakova të mundë t’i mbijetojë operacionit. Por, për fat të keq ajo gjatë operimit humbi dy foshnjat.

Për disa ditë pas operacionit, Arlinda Himaj kishte qëndruar në Mjekimin Intensiv të Klinikës së Gjinekologjisë. Ajo ishte shtatzënë dhe mbante binjakë, të cilët ishin në javën e 25-të. Por për shkak të komplikimeve të saj shëndetësore, binjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë. Gjendja e Arlindës ishte përkeqësuar më shumë sa ka mundur ta humb edhe jetën. Ajo iu nënshtrua një operacioni 7-orësh në Klinikën e Gjinekologjisë. 

Disa ditë pas, Arlinda ka rrëfyer reth gjendjes së saj shëndetësore. Shprehet falënderuese ndaj ekipit mjekësor që ka bërë trajtimin e saj gjatë këtyre ditëve dhe se pret me padurim që t’u bashkohet tri vajzave që ajo i ka lënë në shtëpi.

“Nuk më kujtohet asgjë, përveç fjalëve, më shpëtoni, më shpëtoni. Deri të shtunën në mbrëmje nuk mbajë mend asgjë”, ka thënë ajo. Tutje ka deklaruar se pas operacionit i ka disa komplikime të vogla në zorrë. Por megjithëkëtë, ajo thotë se trajtimi nga ana e mjekëve në Gjinekologji ka qenë i mirë.

“Trajtimi ka qenë i mirë këto ditë”, thotë ajo.

Por, Arlinda Himaj vetëm disa ditë pasi është liruar nga Spitali ka marrë vesh që ka humbur foshnjat. 

Mjeku i cili e ka monitoruar gjithë procesin e operacionit, doktor Fehmi Zeqiri, ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore dhe rrezikut me të cilin është përballur 37-vjeçarja nga Gjakova.

“Pacientja ka arritur me udhëzim nga Gjakova para më shumë se një jave, në gjendje jo të rëndë, me një gjakderdhje të lehtë. Pas një jave, të premten që lamë pas, asaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është dashur të intervenojmë. Zonja ka qenë në javën e 25-të të shtatzënisë. Ka pasur binjakë”, ka deklaruar mjeku.

Ai ka shpjeguar se operacioni kishte zgjatur nga ora 2 të mesnatës deri në orën 10 të mëngjesit.

“Gruaja ka pasur gjakderdhje të madhe e cila e ka përfshirë pjesën e barkut, si dhe ka pasur gjakderdhje nga fshikëza urinare. Në operim kemi hyrë rreth orës 02 të mesnatës së të premtes. Gjendja e gruas ka qenë shumë e rëndë, në gjendje shoku, me të gjitha parametrat e përkeqësimit të gjendjes. Operacioni ka zgjatur prej orës 2 deri në orën 10 të mëngjesit”.

Doktor Fehmi Zeqiri thotë se për operim të nënës nga Gjakova janë dashur më shumë se 20 doza gjak dhe 21 plazmë. Ai thotë se ky rast ka qenë më i veçanti që nga paslufta.

Por, megjithëkëtë në sallat operative të QKUK-së mungojnë aparaturat, si dhe instrumentet kryesore për mbarëvajtjen e një operacioni.

“Sa i përket pajisjeve dhe instrumenteve dihet që nuk jemi në nivelin e duhur. Po detyrohemi që të bëjmë improvizime të ndryshme që të mund të kryejmë punë”, thotë ai.

Dr. Zeqiri tregon se rreth çështjes së mungesës së aparaturave kanë bërë kërkesa edhe në organet kompetente.

“Kërkesat tona gjithnjë kanë qenë të njëjta, që sa më shumë të investojnë për shëndetësi, bile për atë terciare që jemi ne. Neve këtu na mungojnë aparatet, ultrazëri. Neve në Klinikë na duhen pajisje të reja, instrumente, pajisje për laparoskopi”.

E doktori tutje tregon se për operimin 7-orësh është kërkuar ndihmë edhe nga Klinika e Urologjisë, ku kanë marrë pjesë Dr. Xhevdet Çuni dhe Dr. Ilir Miftari. Ndihmë, po ashtu, është kërkuar edhe nga një kirurg vaskular.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test