Muslimanët në Shqipëri nxiten nga një rast në Gjermani, nënshkruajnë peticionin: Hapni xhamitë - Bota Sot
Muslimanët në Shqipëri nxiten nga një rast në Gjermani, nënshkruajnë peticionin: Hapni xhamitë

Gjermania

Muslimanët në Shqipëri nxiten nga një rast në Gjermani, nënshkruajnë peticionin: Hapni xhamitë

Më: 4 maj 2020 Në ora: 15:51
Foto ilustrim

Mbi 3,300 persona kanë firmosur një peticion online që i drejtohet Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ku si kërkesë ka hapjen e dyerve të xhamive për besimtarët dhe qytetarët. Aktivitetet me natyrë tubuese në xhamitë e vendit janë pezulluar që prej 22 prillit me vendim të këtij komuniteti. Kërkesa vjen në një kohë kur besimtarët e komunitetit myslimanë janë në muajin e Ramazanit.

Në peticion thuhet se, në një kohë kur gjatë dy javëve të ardhshme qeveria parashikon hapjen e pothuajse të gjitha aktiviteteve ekonomike e shoqërore, përfshirë edhe ato që deri para pak ditësh konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë, duhet të merret në konsideratë dhe hapja e xhamive.

Organizatorët i referohen dhe një rasti në Gjermani, ku pas kërkesës së një shoqate myslimane, gjykata kushtetuese e Lower Saxony (Saksonia e Ulët), ka rrëzuar vendimin e autoriteteve për të ndaluar çdo veprimtari fetare.

“Ndërkohë që bashkësitë fetare në vendin më të madh të Evropës kanë detyruar qeverinë federale të ulet në bisedime për të përcaktuar rregullat për hapjen e objekteve të kultit, është e papranueshme që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i cili i ka mbyllur me vendimin e tij të pavarur xhamitë në të gjithë vendin, të mos i hapë dyert e tyre”, thuhet në peticion.

“Takimi i para pak ditëve i Ipeshkvijve të Kishës Katolike për rifillimin e veprimtarive fetare në Kishën Katolike, ku u morën në shqyrtim mundësitë e krijuara nga hapat e ndërmarra nga organet kompetente dhe u vendos për një veprim gradual duke respektuar të gjithë hapat e nevojshëm, si dhe në respektim të rregullave të vendosura për distancimin fizik, është dëshmi se kur ekziston vullneti i sinqertë për hapjen e shtëpive të Zotit heshtja dhe mosveprimi nuk kanë vend” shton më tej peticioni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat