Hyseni ka pritur në takim një grup gastronomesh të cilët mendojnë se nuk po trajtohen njësoj me komunat tjera

Gjilani

Hyseni ka pritur në takim një grup gastronomesh të cilët mendojnë se nuk po trajtohen njësoj me komunat tjera

Më: 14 janar 2022 Në ora: 12:41
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka pritur sot në takim një grup gastronomesh të qytetit, për t`i dëgjuar vështirësitë që ata kanë për punë në kushtet e pandemisë, shkaku i kufizimeve të orarit dhe përdorimit të hapësirës.

Sipas tyre, ka dallime nëpër komuna sa i përket zbatimit të masave anti-Covid dhe sidomos ndaj lokaleve të cilat operojnë në lagjen Dardania të këtij qyteti, që janë shënjestër e inspekcionit dhe policisë.

Përndryshe, gastronomet thanë se nuk janë për t`i shkelur masat, por duan trajtim të barabartë me të tjerët, pasi që janë duke punuar vetëm sa për mbijetesë.

Njëherësh, ata kërkuan nga kryetari i Komunës që të shikojë mundësitë për ndonjë ndihmë financiare për gastronominë, pasi që kjo gjendje e ka goditur fort këtë sektor.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi i ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e gastronomeve, ka thënë se do të bëjë gjithçka që është brenda kompetencave të tij që të kërkojë trajtim të barabartë për të gjithë gastronomet.

‘Unë nuk mund të hyjë në kompetencat e institucioneve të tjera, por si ndërmjetësues do të angazhohem për të përçuar te përgjegjësit ankesat tuaja’, ka thënë kryetari Hyseni, ndërkohë që i siguroi gastronomet se për këtë çështje do t`i takojë komandantin e policisë si dhe përgjegjësin e inspekcionit.

Përndryshe, ai i rikujtoi gastronomet se numri i të infektuarve është rritur ditëve të fundit dhe se masat ekzistuese anti-Covid duhet të respektohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat