Në vendin ku kujtohen ata që ranë për lirinë e Kosovës, mbrëmë u ndez edhe një herë “Zjarri i Lirisë”.
Në natën përmbyllëse të aktivitetit “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”, në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, mes flakës dhe kujtimeve për luftën, të pranishmit folën edhe për një datë që po e presin me emocione – 16 shtatorin, kur në Hagë pritet vendimi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se aktiviteti dhe sensibilizimi i qytetarëve janë një mesazh për drejtësinë në Hagë.
Isufi: Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe për ta shpëtuar popullin e Kosovës
“Sepse lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, ka qenë e pastër dhe ka qenë një luftë e pashmangshme për ta shpëtuar popullin e Kosovës, e që kësaj vije i kanë dhënë qëndrim edhe goditje edhe bashkësia ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Perëndimit dhe gjithë bota përparimtare, duke e sulmuar Serbinë edhe me aeroplanë, e që tregon se kjo luftë ka qenë çlirimtare e që nuk duhet askush me na e treguar historinë, sepse e dimë më së miri”, tha Ahmeti.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i cili për KosovaPress ka thënë se pret që kjo datë t’i japë fund, siç e ka quajtur ai, padrejtësisë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Pajaziti: Presim që data 16 t'i japë fund ë kësaj padrejtësie
“Ne presim lirimin e tyre. Fatkeqësisht, kjo që ndodhi për këto vite është një padrejtësi e madhe që po i bëhet shokëve tanë, drejtuesve tanë, liderëve tanë që janë atje. Një padrejtësi e madhe po i bëhet luftës tonë të lavdishme çlirimtare. Presim që më në fund drejtësia të tregojë të vërtetën, një të vërtetë që e dimë ne, që e dinë ata që janë atje, që e dinë gjithë bota, e të vërtetën e luftës së pastër, të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e e cila do t'i bëjë që të jenë të lirë drejtuesit e saj që po gjenden sot po mbajnë atje padrejtësisht”, ka thënë Pajaziti.
Ai ka theksuar se pritja për vendimin shoqërohet edhe me emocione për shkak të lidhjeve që ka me ish-krerët e UÇK-së.
Në pritje të një vendimi lirues është shprehur edhe drejtori për rini, kulturë dhe sport në Komunën e Vitisë, Valmir Sahiti.
Sahiti: Me 16 shtator në të gjitha trojet shqiptare do të jetë ditë feste
“Pa asnjë dyshim, më 16 shtator të gjithë shqiptarët e presin lirimin përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si vendim i vetëm i drejtë ku përfundimisht lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të pastrohet dhe përfundimisht çlirimtarët do të kthehen në atdhe si fitimtarë. Sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e pastër, ishte luftë për mbrojtje dhe luftë për liri, e mbështetur edhe nga aleanca më e fuqishme veriatlantike, NATO, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, edhe gjithë procesi në Hagë ka dëshmuar që nuk ka asnjë fakt dhe asnjë barrë të provës që bie rëndom mbi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Sahiti.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte luftë për mbrojtje dhe liri.
Edhe Isak Ramadani nga Bukoviku ka thënë se pret vetëm lirimin e tyre duke e përshkruar si të veçantë atmosferën në “Zjarri i Lirisë”, duke e lidhur atë me emocionet e vitit 1999.
Ramadani: UÇK-ja nuk ka bërë krime, UÇK-ja ka mbrojtur vendin
“Tjetër vendim nuk ka aty se vetëm lirimi. UÇK-ja nuk ka bërë krime, UÇK-ja ka mbrojtur vendin, i ka mbrojtur pragun e shtëpisë, atdheun veç lirimi. Tjetër vendim nuk ka aty, faleminderit shumë prej juve. Ndjenja është madhështore, e mirë. Domethënë është... si kurrë më parë 99-ën qysh ka qenë do të jetë edhe atë ditë”, ka thënë Ramadani.
Nga Livovçi për të marrë pjesë në ndezjen e Zjarrit të Lirisë në Gjilan kishte ardhur edhe Mazim Nurednini i cili për KosovaPress u shpreh se drejtësia në fund do të triumfojë me lirimin e krerëve të UÇK-së.
Nuredini: Do të del e vërteta në shesh, drejtësia do të triumfojë
“Prej fillimit ky ky vendim me mu dukë që është padrejtsi. Po do të del e vërteta në shesh, drejtësia do të triumfojë me lirimin e tyre. Se janë të pafajshëm. Si me lindë për së dyti. Shumë e madhe”, ka deklaruar Nuredini.
Ndërkaq, qytetari nga Gjilani, Izet Zeqiri, ka shprehur emocionet që sipas tij do ta shoqëronin siç tha ai vendimin lirues.
Zeqiri: Dihet se ata janë vetëm çlirimtarë, asgjë tjetër
“ Po procesi është proces i cili duhet të ndodhë ose ka ndodhur realisht, po ne duhet të pajtohemi me ato çka ka ndodhur deri tash. Po prej gjykatës do të presim një vendim lirues se do të kthehen në vendin e vet, do të kthehen pranë familjeve të tyre.... Oh, ndjenja është e papërshkrueshme! Është diçka sikur ndoshta mundemi me thënë me një fjalë, është sikur liria e dytë që i ndodh këtij vendi këtu, Kosovës realisht”, ka thënë ai.
Kthimi i çlirimtarëe në Kosovë do të ishtë një moment i veçantë edhe për veteranin e luftës, Shefket Leci.
Leci: Ata janë të pafajshëm
“Besoj që do t’i lirojnë, e shpresoj që do t’i lirojnë. Janë padrejtësisht mbajtur politikisht, po shpresojmë shumë që do t’i lirojnë në 16 shtator. E i presim me gjithë qejf. Na kanë munguar shumë, po politika është e tillë. Të pafajshëm janë. Po të gjithë, unë ndihem me shumë zemër, me shumë shpirt ndihem me iu kthye çlirimtarët në Kosovë. Se padrejtësisht i kanë kështu të dënuar me gjashtë vite, po shpresoj që do të vijnë të pafajshëm”, ka thënë Leci.
Aktiviteti “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së” është përmbyllur mbrëmë në Gjilan, me ndezjen e “Zjarrit të Lirisë” në Kodrën e Dëshmorëve. Aktiviteti është shoqëruar edhe me pritjen për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që pritet më 16 shtator.