Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, B.A. dhe S.H., të dyshuar për trafikim të narkotikëve. Gjatë kontrollit në veturën e njërit prej tyre, në fshatin Velekincë të Gjilanit, janë sekuestruar 10 pako me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 53.2 kilogramësh.
Sipas njoftimit të prokurorisë, dy të pandehurit dyshohet se nga shtatori deri më 16 tetor 2026 kanë vepruar në bashkëpunim, me aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me qëllim të përfitimit financiar.
Prokuroria dyshon se ata, pa autorizim, kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar marihuanë.
Substanca e dyshuar narkotike është gjetur më 16 tetor, gjatë një kontrolli të Policisë së Kosovës në pronën e të pandehurit B.A., përkatësisht në veturën e tij.
Kërkesa për paraburgim është paraqitur nga Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan. Dy të pandehurit dyshohen për veprat penale “Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, në bashkëkryerje.