Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ka bashkëbiseduar me studentët e shkencave sociale për demokracinë parlamentare, historinë e përfaqësimit politik në Kosovë dhe të ardhmen evropiane e euroatlantike të vendit.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se diskutimet u përqendruan te pushteti që buron nga qytetarët, përgjegjësia që vjen me të dhe rëndësia e debatit në një demokraci që kërkon angazhimin e secilit brez.
Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje iu kushtua edhe rolit të institucioneve demokratike në përfaqësimin e interesave të qytetarëve, si dhe rëndësisë së pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën publike dhe politike të vendit.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë e diskutimeve të tilla me studentët, të cilat krijojnë mundësi për shkëmbimin e ideve dhe për reflektim mbi zhvillimin demokratik të Kosovës, sfidat me të cilat përballet vendi dhe aspiratat e tij për integrim evropian dhe euroatlantik.