Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me demokratët e Lezhës, deklaroi se qeveria Rama po qëndron në pushtet pa legjitimitet.
“Që një qeveri të qëndrojë në pushtet pa legjitimitet, ndodh sepse opozita nuk i ka dhënë drurin që meriton. Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet, rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, u shpreh Berisha.
Duke bërë një paralelizëm me deklaratën e presidentit amerikan për opozitën iraniane, Berisha tha se Partia Demokratike beson te vota e lirë.
“Sot presidenti Trump u bëri thirrje iranianëve: pushtoni institucionet tuaja, sepse xhelatët e Teheranit vranë mbi 2 mijë protestues paqësorë. Po si qëndron puna te ne? Ne përsëri jemi parti që besojmë në votën e lirë, në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore. Ne nuk i qëndrojmë dhunës”, tha ai.
Gjatë fjalimit të tij, Berisha theksoi se demokratët u sprovuan jo vetëm duke u përballur me qeverinë në pushtet, por edhe me, sipas tij, misionarë të saj brenda Partisë Demokratike.
“Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në. Një kryetar, të cilit ju i dhatë besimin, ditën ishte me ju, ndërsa natën me Edi Ramën ndante paratë dhe pazaret. Beteja juaj nuk ishte vetëm me qeverinë dhe misionarët e saj në PD, por edhe me kreun e mafies botërore, Xhorxh Sorosin”, u shpreh Berisha.
Aktiviteti i liderit të opozitës në Lezhë u zhvillua në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në këtë qark.