I bën telashe policët për ta sjell në gjykatë, shtyhet seanca ndaj të dënuarit me 41 vjet burg

Kosova

I bën telashe policët për ta sjell në gjykatë, shtyhet seanca ndaj të dënuarit me 41 vjet burg

Më: 25 janar 2019 Në ora: 19:20
Pamje nga gjykimi, foto arkiv

Rrezikshmëria e lartë në seancën gjyqësore kundër Bedri Krasniqit e Alban Dizdarit, shtyri që forca të shumta të Njësisë Speciale të Kosovës të qëndrojnë në sallën ku u gjykuan të akuzuarit. I dënuari për vrasje të tjera, Bedri Krasniqi, që po akuzohet tash edhe për vrasjen e dy policëve në vitin 2004, mezi u soll sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Krimi që është kryer para 13 viteve, ka ngecur të zgjidhet nga Gjykata. Të akuzuarit për vrasjen e një pjesëtari të UNMIK’ut dhe një të Policisë së Kosovës në vitin 2004, dolën sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor, e përcjellë nga forca të shumta të sigurisë, Njësisë Speciale të Kosovës, dështoi të vazhdonte më tutje për shkak të mungesës së avokates së të akuzuarit Bedri Krasniqi.

I akuzuar në këtë çështje penale është edhe Alban Dizdari, i cili gjithashtu akuzohet se ishte pjesë e grupit kriminal që dyshohet se kanë kryer këtë vrasje në vitin 2004. Kjo aktakuzë, është e mbështetur kryesisht në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, i cili ishte pjesë e këtij grupi dhe tashmë po vuan dënimin për vrasjen e policit të UNMIK’ut dhe policit të Kosovës.

Para fillimit të seancës së sotme, express ka marrë vesh se Bedriu kishte refuzuar të vinte në Gjykatë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, atje ku po e vuan dënimin për vrasjet e tjera, për të cilat është shpallur fajtor.

Kryetari i trupit gjykues, Isuf Makolli, për shkak të mungesës së avokates së caktuar të Bedri Krasniqit, shtyu seancën e sotme për një datë të pacaktuar pa u ditur se për çka do të shqyrtohej në këtë seancë.

Duke mos i penguar fort Bedri Krasniqit pse avokatja e tij mungoi në seancë, ai i tha trupit gjykues se nëse duan, mund ta vazhdojnë seancën.

“Vazhdoni ju me seancë nëse doni”, tha Krasniqi.

Aktakuzë për vrasjen e policit të UNMIK’ut dhe të Kosovës, kishte ngritur prokurori i EULEX’it Danillo Cicarelli, por tani me largimin e EULEX’it, rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

E me marrjen e detyrës nga Prokuroria Speciale, seancat e shqyrtimit gjyqësor po dështojnë kundër Bedri Krasniqit e Alban Dizdarit.

Bedriu, i dënuar me 41 vjet burg për vrasje të policëve Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt dhe kidnapimin e Azem Morinës, nuk është hera e parë që shkakton probleme brenda Burgut të Sigurisë së Lartë.

Në muajin Maj të vitit të kaluar, Krasniqi kishte tentuar të arratisej nga ky burg dhe kështu kishte krijuar gjendje alarmante.

Media pati shkruar për këtë ngjarje të majit të 2018’s. I njëjti në vitin 2008, kishte arritur të arratisej nga Burgu i Dubravës dhe më pas edhe kishte kidnapuar pronarin e fabrikës “Gllareva” Azem Morinën, për të cilën më vonë u dënua me 17 vjet burg.

Për vrasjen e para 13 viteve, për të cilin tash po akuzohen Bedriu e Albani, aktakuza thotë se krimi ndaj veturës së Policisë së UNMIK’ut që ka ndodhur më 23 mars të 2004’s, ka ndodhur në fshatin Shtedime të Podujevës, ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për t’i zënë në pritë veturën e UNMIK’ut, ku ishin vrarë Possible Essuman dhe Arsim Rrustolli.

Pika e parë e aktakuzës thotë se këta të dyshuar kanë shtënë me kallashnikov 108 herë në drejtim të veturës dhe katër pasagjerëve të saj. “Sulmi ndaj veturës së UNMIK’ut kishte ndodhur rreth orës 21:45 nga një veturë e tipit Suzuki”.

Kujtojmë se Gjykata e Qarkut e Prishtinës më 9 nëntor të 2007’ës, shpalli fajtor për këtë vepër penale vetëm Shkumbin Mehmetin, derisa i liroi nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Bedri Krasniqi tashmë po e vuan dënimin për vrasjen tjetër të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës; Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, që ndodhi në vitin 2003.

Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg. Mirëpo, i njëjti kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva” Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat