Nga simpoziumi kushtuar masakrës në trevën e Rugovës me 1919-tën

Kosova

Nga simpoziumi kushtuar masakrës në trevën e Rugovës me 1919-tën

Nga: Rexhep Elezaj Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 21:49
Pamje nga simpoziumi

Në organizim të Klubit të Intelektualëve të Rugovës (KIRUG) sot në amfiteatrin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i filloi punimet dy ditore simpoziumi shkencor kushtuar 100 vjetorit të masakrës së Malit të Zi dhe të Serbisë në fshatin Shtupeç i Madh si dhe në katundet tjera të krahinës së Rugovës, me 1919. Salla e amfiteatrit ishte e vogël për t’i zënë të gjithë pjesëmarrësit e shumtë të cilët nga të gjitha hapësirat e trojeve etnike shqiptare kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë simpozium, siç ishin; Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli, Prof. Dr. Fatmira Musaj, Dr. Sc. Mark Palnikaj, Mr. sc. Nikollë Loka, nga Tirana, Prof. as. Dr. Rudina Mita nga Elbasani, pastaj Dr. sc. Nail Draga, nga Ulqini, Prof. As. Dr. Elinda Dibra, Dr. sc. Dom Nikë Ukgjini nga Shkodra, Prof. Dr. Isamedin Arifi, Dr. sc. Qerim Lita, nga Shkupi, Prof. Binak Ulaj dhe Prof. Rexhep Dedushaj nga Plavë e Guci, Prof. Dr. Shyqri Hysi nga Gjirokastra, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, kryetar i KIRUG (organizator i simpoziumit), Dr. sc. Arben Arifi, Prof. as. Dr. Fitim Rifati, Prof. Dr. Hakif Bajrami, Prof. Dr. Liman Rushiti, Prof. as. Dr. Luan Tetaj, Prof. Dr. Lush Culaj, nga Prishtina, Prof. Dr. Shefqet Canhasi, nga Gjakova etj.

Nën udhëheqjen e grupit moderues të seancës së sotme nga tre profesorë dhe një profesoreshë, simpoziumi i filloi punimet në ora 13:00, ku ndër referuesit e parë ishin Akad. Marenglen Verli, Binak Ulaj, Isamedin Azizi, Liman Rushiti, Hakif Bajrami dhe shumë të tjerë, të cilët në referatet e tyre prezantuan, secili nga këndvështrimi personal, luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi në periudhën para, gjatë dhe pas LPB-re, me theks të veçantë mbi rezistencën dhe luftërat e shqiptarëve të Malësisë së Shkodrës, Plavë e Gucisë dhe krahinës së Rugovës ndaj barbarive serbo-malazeze të ushtruara në këto anë, duke vënë në pah tmerret dhe masakrat të cilat në këto treva i kishin bërë ushtritë çetnike dhe kriminale serbo-malazeze, që nga viti i pavarësisë me 1912 e deri me 1919/20 ndaj popullatës shqiptare.

U fol për njërën nga masakrat më të tmerrshme në katundin Shtupeç i madh, ku me 16/17 shkurt të vitit 1919, forcat kriminale ushtarake serbo-malazeze vranë dhe dogjën mbi 250 gra, burra dhe fëmijë, duke i lidhur për sana për t’ua vu zjarrin për së gjalli. Për këtë masakër mizore më për së afërmi foli Prof. Binak Ulaj, i cili në referatin e tij, me titull; “Kujtimet e Sofie Keres – Çelaj, një rrëfim tronditës për masakrën e Malit të Zi dhe të Serbisë në Shtupeç të madh, me 1919”, e përshkroi në mënyrë rrënqethëse këtë masakër, e cila ishte aq barbare, sa kurrë nuk u shlye nga mbamendja, plagët dhe vrragët e Rugovasve, sepse ishte ndër krimet më monstruoze që kishte përjetuar populli shqiptar në atë kohë, por jo vetëm aty. Por kujtesa kolektive dhe ajo individuale, i ruajti dhe i përcolli brez pas brezi rrëfimet për traumat e përjetuara gjatë ekspeditave kriminale të ushtrisë serbe e malazeze.

Image

I tillë ishte edhe rrëfimi i Sofie Kerja-Çelaj, bijës së trimit të shquar rugovas, Ker Sadrisë, rrëfim ky për masakrimin kolektiv të popullsisë së Rugovës para një shekulli..!? Nga kumtesat që u prezantuan në sesionin e sotëm shkencor, emërues i përbashkët ishte, se në krahinën e Rugovës dhe Plavë e Gucisë ishin kryer masakra të shumta në periudhën e viteve (1913-1919), ku ishin vrarë dhe masakruar barbarisht mbi 850 shqiptarë, për të cilat për herë të parë sot pas 100 viteve po diskutohet dhe shkruhet më gjerësisht, e, që pranë mos justifikimit për një vonesë kaq të madhe, megjithatë ky simpozium u vlerësua lartë nga shumë referues, sepse është “më mirë vonë, se sa kurrë” të flitet dhe shkruhet për gjitha ato tmerre që i kanë përjetuar shqiptarët në ato vite të përgjakshme, jo vetëm në krahinën e Rugovës, por gjithandej hapësirave shqiptare në Ballkan, njësoi dhe të njëjtat vrasje dhe masakra të ndërmarra nga kriminelët serbo-malazezë.

Njëra ndër metodat e dhunës dhe krimeve monstruoze ndaj shqiptarëve, ishte pa dyshim edhe ndërrimi i fesë me dhunë në trevën e Rugovës, nga ajo myslimane në atë sllavo-ortodokse, e cila është e njohur në histori si njëra ndër masat më kriminale të dhunës psikike dhe shpirtërore, kur shqiptarët u detyruan, ose ta ndërrojnë fenë, ose të vriten, e që numri i Rugovasve që nuk pranuan ndërrimin e fesë ishte shumë i madh të cilët u vranë dhe u masakruan pa gjurmë, që një numër syresh ishte pikërisht nga katundi Shtupeç i madh..!?

Image

Një fjalën e tij mjaft prekëse, Prof. Dr. Hakif Bajrami, foli me dhimbje për vuajtjet e dhe masakrat që kanë përjetuara Rugovasit, me porosi të qartë, se historinë tonë kombëtare duhet prezantuar drejtë, sakët dhe se pa gjurmimin e arkivave dhe materialeve nga burime të historianëve të huaj nuk mund të flasim për fakte të qëndrueshme, dhe se masakrat e çetnikëve serbo-malazez në krahinën e Rugovës dhe Plavë e Guci, akoma nuk janë ndriçuar sa duhet, prandaj ai iu bëri thirrje historianëve të rinj që të angazhohen më shumë në zbardhjen e ngjarjeve dhe tmerreve që kanë përjetuar shqiptarët nga dhuna dhe gjenocidi serbo-sllavo-ortodoks, që nga koha e elaboratit të “Naçertanijes” së Vasa Çubrilloviçit (1844) për zhdukjen e shqiptarëve dhe deri më 10 qershor 1999, kur Kosova do çlirohet nga robëria njëshekullore!? Simpoziumi i vazhdon punimet edhe në ditën e nesërme me prezantimin e referateve të shumta, të cilat për fat të mirë, siç tha Prof. Dr. Zymer Neziri, të gjitha do të botohen në një libër të vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat