Vetëm edhe sot pranohen aplikimet për 650 ushtarët e rinj të Kosovës

Kosova

Vetëm edhe sot pranohen aplikimet për 650 ushtarët e rinj të Kosovës

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 12:40
FSK-ja

Ushtria e Kosovës ka nisur pranimin e aplikimeve për të interesuarit që të bëhen ushtarë të rinj nga data 11 shkurt deri më sot.

Pas miratimit në Kuvend të tri projektligjeve që lidhen me zgjerimin e  përgjegjësive të FSK-së, për herë të parë është hapur konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj.

Ushtria e Kosovës do t’i ketë rreth 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervë.

E konkursi i tashëm për pranimin e ushtarëve të rinj do të qëndrojë i hapur vetëm edhe sot deri në orën 15:00.

Që nga fillimi i hapjes së konkursit për t’u bërë pjesë e FSK-së aplikuan mijëra persona.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës nga 11 shkurti ka shpallur zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve, respektivisht ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Ushtrisë së Kosovës.

Dokumentet e kërkuara për aplikim sipas konkursit janë: Diploma (dëshmi) e shkollimeve të përfunduara; dëshmi; certifikata; mirënjohje (nëse posedon); certifikata e lindjes (jo me të vjetër se 6 muaj); certifikata e shtetësisë; vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo  i ndjekur penalisht; kopje e letërnjoftimit apo pasaportës si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).

Kujtojmë, se Kuvendi i Kosovës miratoi tri projektligjet për FSK-në më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Kjo shkaktoi reagimin e komunitetit ndërkombëtar, e sidomos të NATO-s, sipas të cilëve kjo nuk ishte koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Në ndërkohë, siç parashihet përmes ligjeve, tanimë ministria e FSK-së është transformuar në ministri të Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat