Ismaili: Udhëzimi administrativ për barnat rregullon çmimet në sektorin farmaceutik

Kosova

Ismaili: Udhëzimi administrativ për barnat rregullon çmimet në sektorin farmaceutik

Më: 7 mars 2019 Në ora: 17:21
Tryeza

Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore rregullon çmimet ne sektorin farmaceutik, ulë çmimet, rrit konkurrencën, zvogëlon shpenzimet si dhe përcakton çmimin fiks të rimbursueshëm për produktet të cilat do të jenë pjesë e listës së produkteve esenciale jashtëspitalore.

Kështu u tha gjatë  një debati për Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se tashmë është përgatitur drafti, teksa theksoi se do të rregullojë çrregullimet me të cilat përballen farmacistët dhe qytetarët. E, që sipas tij, ka një mori problemesh në teren, ku çmimet e të njëjtës barnatore lëvizin brenda 24 orëve, duke keqpërdorur nevojat e pacientëve.

Ismaili u shpreh se ky model është në përputhje me projektet më të mira rajonale.

Ismaili: Udhëzimi administrativ rregullon çmimet në sektorin farmaceutik

“Ky udhëzim administrativ ka për qëllim rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të produkteve medicinale në sektorin farmaceutik në Kosovë. Aktualisht në këtë sektorë, çmimet e produkteve medicinale kanë dallim të madh nga barnatorja në barnatore, në mes të qyteteve, por edhe në të njëjtën barnatore varësisht nga orari i punës. Ka raste, kur në orët e mbrëmjes çmimet rriten për shumëfish duke abuzuar me çmime dhe duke keqpërdorur nevojat e pacientëve. Një problem tjetër është edhe shitja nën kosto e cila favorizon mundësinë e një kontrabande dhe shitjen e produkteve të falsifikuara, duke krijuar kështu një pozitë dominuese për shkak të shkak të çmimit të lirë dhe jo për shkak të shërbimit cilësor”, tha ai.

Sipas Ismailit, zbatimi i kësaj politike do të japë rezultate të dobishme, përmes të cilave do të rregullohet sektori farmaceutik.

Ismaili: Zbatimi i kësaj politike ulë çmimet dhe rritë konkurrencën

“Parimi i rregullimit të çmimit duke përfshirë edhe kapitullin e tretë, është në harmoni me praktikat ndërkombëtare... Ligji për produkte dhe pajisje medicinale është hartuar poashtu në frymën e mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës. Prandaj, zbatimi i kësaj politike do t’i ulë çmimet, do të rrisë konkurrencën, do të kontribuojë në shpenzime efikase, do të ruajë buxhetin e qytetarëve dhe do të lehtësojë edhe funksionim efikas dhe transparent të fondit për sigurime shëndetësore. Prandaj, është e rëndësishme të theksohet edhe njëherë, që përpos aspektit ekonomik”, tha ai.

Fatmir Plakiqi nga FSSH tha se draft-udhëzimi administrativ është shumë i rëndësishëm që përcakton çmimin fiks të rimbursueshëm të fondit për sigurime shëndetësore.

Ai bëri të ditur metodologjinë që është përdorur, teksa tha se ka edhe disa parakushte që duhet plotësuar.

Plakiqi: Komisioni që do të formohet do të bëjë zbatimin e plotë

“Metodologjia e përdorur ka përfshirë çmimet e jashtme dhe të brendshme referente dhe për këtë gjë, komisioni që do të formohet do të bëjë zbatimin e plotë në mënyrë që për ne do të jetë çmimi final i zbatueshëm, ku përmes metodologjisë së brendshme referente ne përcaktojmë se cili produkt do të përcaktohet qind për qind nga fondi, kurse brendet tjera të atij produkti nëse kërkohen nga pacienti, atëherë ai e paguan diferencën për atë bar”, tha ai.

Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, tha se Kosova është në prag të udhëzimit të parë të përcaktimit të çmimit të barnave. Ndërsa bëri një prezantim të fazave nëpër të cilat do të kalohet.

Jakupi: Fillimisht duhet të themelohet komisioni

“Baza për kalkulimin e çmimit, fillimisht duhet të themelohet komisioni që obligohet të themelojë dhe të mbajë sistemin e deklarimit të  çmimit, sistemin e jashtëm dhe të brendshëm të çmimeve referente medicinale të përcaktuar në këtë udhëzim administrativ”, shpjegoi ai.

Kurse Ardita Tahirukaj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, u shpreh e lumtur që siç tha ajo, pas një pune intensive e të gjatë, tashmë ja ë në prag të produktit final.

Tahirukaj: OBSh ofron asistencë teknike në Kosovë që nga viti 2017

“OBSh, zyra për Evropë, u ofron asistencë teknike shteteve, për zhvillimin e politikave dhe udhëzimeve sa i përket përzgjedhjes dhe përdorimit të arsyeshëm të barnave. Në këtë drejtim, ka ofruar edhe asistencë teknike Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve në Kosovë nga vitit 2017. Dhe, në këtë drejtim, qëllimi i krejt reformës ishte që të përmirësohet përzgjedhja dhe përdorimi i barnave, të rritet qasja në barna si dhe të reduktohen shpenzimet”, theksoi ajo.

Ndryshe, nesër është dita e fundit për komente në platformën online për këtë udhëzim administrativ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat