Në Klinë, në kuadër të rënies në altarin e lirisë u përkujtua heroi i kombit, Leonard Palucaj

Kosova

Në Klinë, në kuadër të rënies në altarin e lirisë u përkujtua heroi i kombit, Leonard Palucaj

Nga: Lekë Mrijaj Më: 20 prill 2019 Në ora: 06:13
Akademia përkujtimore

Dje, me 19 prill 2019 në Qendrën e Kulturës "Jehona e Dukagjinit" në Klinë, u mbajt Akademi në përkujtim të 20 -vjetorit të rënies në altarin e lirisë në Koshare, të heroit të kombit, Leonard Palucaj, në të cilën morën pjesë prof. dr. Zenun Elezaj, kryetar i komunës së Klinës, z. Anton K. Berisha, zv/ministër i diasporës, z. Ilir Murtezi - këshilltar politik i ministrit të mbrojtjës së FSK-së, prof. Besim Hoti, zv/kryetar i komunës së Klinës, z. Fadil Gashi, kryesues i kuvendit komunal të Klinës, z. Rexhë Berisha, komandant i Policisë, klerikët dhe veprimtarët e të dy bashkësive fetare, mulla Xhevat Kryeziu e don Lenc Sopi, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Jashari, babai i heroit të kombit Mujë Krasniqit, z. Halil Krasniqi, babai i herojittë kombit Kolë Mirdita z. Nrecë Mirdita, z. Zef Grabanica, veprimtar i kauzës nga Michigani i SHBA-së,z. Viktor Berisha, veprimtar nga Siegeni i Gjermanisë, si dhe shumë e shumë miq e njerëz të tjerë të cilët kishin shtegëtuar nga Italia, Zvicrra , Austria, e portrete të artit e të kulturës sonë nga të gjitha trevat shqiptare.

Gjatë kohës së paraditës kryetari i Komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, me bashkëpunëtorë të ekzekutivit, komandantin e Policisë, Rexhë Berisha, bashkëluftëtarë veteran të UCK-së, familjarë e miq të dëshmorit Leonard Palucaj, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varri i të ndjerit në Krushevë të Vogël të Klinës.

Në akademinë përkujtimore të sotme është thënë fuqishëm se Leonard Paluca me një dashuri të jashtëzakonshme për atdheun s'bashku me dëshmorët e luftëtarët të tjerë të atdheut janë bërë pjesë e historisë sonë të lavdishme dhe të pavdekshme të kombit dhe çlirimit të Republikës së Kosovës.

Image

Eventi i sotëmu moderua nga Jehona Gashi, akademia nisipa paralajmërim, nën intonimin e himnit kombëtar dhe shfaqjen një video dokumentarit të realizuar nga gazetari Lekë Musolli, duke vazhduar me një minutë heshtje për të gjithë deshmorët dhe martirët e atdheut.

Akademia është organizuar Komuna e Klinës, pikërisht nga kryetari i komunës, prof.dr. Zenun Elezaj, i cili në fjalimin e tij tha:“Jemi tubuar sot këtu për ta nderuar dhe kujtuar dëshmorin e kombit, Leonard Palucaj, në njëzetvjetorin e rënies së tij heroike. Sot po mbushën 20 vjet kur në kufirin shqiptaro-shqiptare në Kosharen legjendare, në atë vend ku gjithmonë Leonardi e deshi vdekjen, mu në këtë kufi që ndante një organizëm të një gjuhe, gjaku dhe flamuri, ra vertikalisht duke mbetur emër i pashuar në kujtesën historike të këtij kombi.”

“Rënia e dëshmorit të kombit Leonard Palucajt, qe një humbje e rëndë për Brigadën 138 “Agim Ramadani” dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi, por ajo u kthye në forcë edukimi dhe frymëzimi patriotik për dhjetëra mijëra të rinj e të reja, të cilët nën shembullin e tyre zunë llogoret në radhët e çlirimtarëve, për të kurorëzuar me fitore idealet dhe amanetin e tyre. Ata me jetën e tyre i dhanë krenarinë atdheut tonë dhe gjithë brezave të tij. Ata vulosën me gjakun e tyre besnikërinë dhe devotshmërinë e përjetshme për vendin që i lindi dhe i rriti”- tha në fund të fjalës prof. dr. Zenun Elezaj.

Në anën tjetër, prof. Pal Canaj, veprimtar e kryetar i Forumit të Intelektualëve “ Luigj Gurakuqi” në Klinë ka thënë se: “Jemi bashkuar ta nderojmë bashkëvendasin dhe birin e kombit tonë, luftëtarin e UÇK-së, dëshmorin e kombit Leonard Dedë Palucajn, i cili pa i mbushur njëzetë e një pranvera, u flijua në altarin e lirisë, në Kosharen epike!” Prof. Canaj, në mes tjerash foli edhe për biografinëdhe shkollimin e dëshmorit si dhe familjen Palucaj ndër breza të cilat e karakterizojnë virtytet e bujarisë, atdhedashurisë dhe trimërisë.“Si e tillë,familja e madhe Palucaj në Klinë, të cilët në vazhdën e atdhedashurisë djemtë e vëllazërisë Palucaj nga Klina iu bashkuan radhëve te Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, Leonard (Dedë) Palucaj , Ambroz (Galan) Palucaj dhe Luigj (Nikollë) Palucaj, të cilët e dhanë kontributin e tyre në Luftën Çlirimtare, ndërsa Leonardi në këtë luftë ra dëshmor në betejën e Koshares me 19.4.1999. Dëshmorë të tjerë të kësaj familje ishte edhe Pal Palucaj nga Trepetica si dhe Agron Palucaj i vrarë nga dora serbe me me 27 korrik 1996.Leonard Palucaj, djali flokëkaçurrel “Leni “në mesin e gjeneratës se tij, të viteve të 90 - ta shquhej me formësimin e personalitetit te tij, tek i cili pasqyrohej fisnikëria e edukatës familjare, me virtytin e atdhedashurisë , nga kushtet e shkollimit u frymëzua nga motoja e Luigj Gurakuqit: “ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue”, ndërsa në lëmin e artit dallohej me vokacionin për muzikën. Leonardi ishte pjesëmarrës aktiv në protestat e viteve 90- ta për lirimin e objekteve shkollore, dhe në protestën e organizuar me 15. 3. 1998, ku nga raporti i sigurimit serb të asaj kohe thuhet, se “rreth 1.000 shqiptar posa dolën nga mesha e mbajtur në objektin , të quajtur Kishë katolike, rreth orës 11 u tubuan në qendër të Klinës dhe zhvilluan një demonstratë armiqësore, duke ngritur flamurin shqiptar dhe fotografitë e Nenës Terezë”. Dhe, si për habi milicia serbe e përgatitur për terror, sikur duart e tyre në ato çaste u shtangen në këmbëzën e automatikut, të cilët pastaj filluan ta shpërndajnë tubimin e protestuesve.Në mesin e viteve vitet 90 –a një gazetar Italian i cili e pati vizituar Shtëpinë Shkollë në Përlina ku zhvillonin mësimin një pjesë e nxënësve të shkollës se mesme Luigj Gurakuqi qe shprehur (citojmë): “Unë në dokumentet shkollore po shoh të shkruar Republika e Kosovës, por ma shume se kaq, në saje të vullnetit të popullit tuaj, po shoh në sytë e këtyre nxënësve lirinë e Kosovës.” E pikërisht në këto dhoma mësimore të shtëpive shkollë, me sy shkëndijash lirie, vijonin mësimet Leonard Palucaj, Haki Ahmetxhekaj, Kolë Mirdita, Faruk Elezaj të cilët me syrin pishe iu kundërvunë armikut serb, duke e flijuar jetën e tyre përlirinë e Kosovës.” -u shpreh në fund të fjalës së tij intelektuali prof. Pal Canaj.

Të pranishmëve në akademi me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhez. Ilir Murtezi, këshilltar politik i ministrit të mbrojtjës së FSK-së, si dhe përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), z. Xhavit Jashari.

Akademia në përkujtim të 20 -vjetorit të rënies në altarin e lirisë është percjellë me një monolog artistik interpretuar nga artisti Avdi Gërvalla si dhe me një pikë folklorike muzikore kënduar nga rapsodët lugdrinas Lekë e Gjokë Duhani.

Vlenë të potencohet se përnderim të jetës dhe veprës të Leonard Palucajt, Komuna e Klinës, një rrugë të këtij qyteti e cila shtrihet nga sheshi kryesor “ Mujë Krasniqi” e që shpie tek sheshi “Nënë Tereza”, drejt udhës së Zllakuqanit ka emërtuar rrugën me emrin e tij.

Pas pērfundimit të Akademisë së sotme përkujtimore për Leonard Palucaj, me një fjalë falënderuese z. Lekë Paluca është prononcuar duke thënë se: "Duke shikuar me vëmendje veprën e bashkfamiljarit tonë heroit Leonard Paluca, dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, natyrshëm dhe psikologjikisht nga këndi im më vjen mendimi se, pa sakrificën e heronjëve, martirëve e patriotëve të Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë, nuk do të ndodhte asnjëherë as çlirimi i kësaj pjese e Dardanisë Antike Shqiptare, nuk do të ndodhte as ndërhyrja e Aleancës Veri Atlantike e NATO-s, nuk do të ndodhte kurrë as ardhja e lirisë sonë të lavdishme, nuk do të ishte bërë kurrë ky realitet i sotëm në jetën historike të vendit tonë".Ndaj i falënderoj të gjithë organizatorët e akademisë përfshirë Komunën e Klinës e kryetarin Elezaj, veteranët e UÇK-së, si dhe nismëtarët kyç intelektual organizatorë të Akademisë: prof. Pal Canaj, prof. Mikel Gojanin, prof. Dodë Ndrecaj e z. Lekë Mrijaj, publicistë.Lavdi heronjit Leonard Palucaj e të gjithë heronjëve të tjerë të atdheut!Të gjithë ju organizatorëve u'a paqa borgj” - tha në fund të fjalës së tij z. Lekë Palucaj nga Zvicrra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat