PRAK dënon shkeljen e privatësisë së pacientëve

Kosova

PRAK dënon shkeljen e privatësisë së pacientëve

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 22:01
Ilustrim

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK përmes një deklarate për media dënon, siç shprehet, shkeljen e privatësisë së pacientëve nga funksionarët shtetërorë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Përdorimi i pacientëve për çfarëdo qëllimi, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale, atë për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore, moralin shoqëror, thuhet në reagim.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i bën thirrje Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, koordinatorët për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Institucioneve Shëndetësore dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që të ndalojnë çfarëdo lloj informate për pacientët të bie në duar të personave të pa autorizuar.

“Nëse ka interes të tregohet puna e bërë në shëndetësi, duhet të përdoren raportet dhe statistikat krahasuese, jo pacientët”, thuhet më tej në deklaratë.

PRAK thekson se gjatë mandatit të qeverisjes aktuale nuk është bërë sistemi i informimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore dhe se nuk është miratuar asnjë ligj, nuk është përmbushur as për së afërmi Lista e Barnave Esenciale, Fondi për Trajtim jashtë institucioneve shëndetësore Publike ka hyrë në borxh për shkak të kërkesave enorme për trajtim jashtë këtyre institucioneve, nuk është ndarë sistemi shëndetësor sekondar nga ai terciar etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat