Koci: Apeli ka aprovuar ankesën time, rasti i Shukri Bujës kthehet në rigjykim

Kosova

Koci: Apeli ka aprovuar ankesën time, rasti i Shukri Bujës kthehet në rigjykim

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 17:10
Shukri Buja

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila e kishte dënuar e tre vjet burgim efektiv ish-kryetarin e Lipjanit nga radhë e PDK’së, Shukri Bujën, më 5 nëntor të vitit 2018, duke e kthyer kështu rastin në rigjykim dhe rivendosje.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Bujës, Arianit Koci, duke thënë se është aprovuar ankesa e tij si avokat.

“Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën time, dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës, çështja e njëjtë është kthyer në rigjykim dhe rivendosje”, ka thënë Koci.

Koci thotë se ka pasur besim të plotë që ankesa e tij do të aprovohet dhe se do të vendoset drejtësi për rastin e Shukri Bujës.

Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Ish-kreu i Komunës së Lipjanit , Shukri Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat