​Fuqizimi i bashkëpunimit në mes IPK-së dhe qytetarëve, ndihmon Policinë - Bota Sot
​Fuqizimi i bashkëpunimit në mes IPK-së dhe qytetarëve, ndihmon Policinë

Kosova

​Fuqizimi i bashkëpunimit në mes IPK-së dhe qytetarëve, ndihmon Policinë

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 17:51
Pamje nga takimi

Inspektorati Policor i Kosovës në një ceremoni të organizuar ka shënuar sot 14 vjetorin e themelimit.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryesisht punonjës të IPK-së me numër të kufizuar të pjesëmarrësve për shkak të pandemisë, u ndanë mirënjohje dhe medalje për zyrtarë të IPK-së dhe bashkëpunëtorë vendor e ndërkombëtarë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Exhevit Zuka duke falënderuar të gjithë të pranishmit theksoi se rrugëtimi i IPK-së ndër vite ishte përplot sfida e suksese:

“Në përvjetorin e 14 të themelimit të IPK-së kujtojmë rezultatet dhe sfidat duke llogaritur edhe kontributin e secilit zyrtarë të IPK-së. Jemi të vetëdijshëm që IPK nuk e ka misionin e lehtë por ne do të vazhdojmë angazhimet tona drejt fuqizimit të integritetit policorë.”

Zuka potencoi se rrugëtimi i IPK-së deri në këtë fazë të sotshme u mundësua edhe nga përkrahja e institucioneve vendore e ndërkombëtare siç është ICITAP-i amerikan dhe misioni i OSBE-së.

“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si ICITAP, OSBE-ja, dhe me përkrahjen e institucioneve vendore jemi angazhuar drejt zhvillimit profesional dhe ndërtimit të kapaciteteve të IPK-së. Falë këtij angazhimit dhe përkrahjeje që ne kemi pasur si institucion, dhe, falë dedikimit e përkushtimit të punonjësve të IPK-së kemi krijuar reputacionin dhe besueshmërinë që IPK-ja gëzon sot te qytetarët e Kosovës. Ne do të punojmë shumë që këtë besueshmëri të qytetarëve të vendit ta ruajmë dhe ta fuqizojmë akoma më shumë”, theksoi Zuka, duke vënë në pah se fuqizimi i bashkëpunimit në mes IPK-së dhe qytetarëve do të ndihmojë Policinë në përmirësimin e shërbimeve të sigurisë që ofrojnë për publikun.

Sipas komunikatës së IPK-së, në shenjë mirënjohjeje për përkrahjen e dhënë në ngritjen e nivelit të profesionalizmit të IPK-së, mirënjohje u ndanë për zyrtarë të ICITAP-it, OSBE-së etj.

IPK u themelua në vitin 2006 si një mekanizëm i pavarur i mbikëqyrjes së Policisë me dy funksione kryesore: hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të policëve, pa dallim grade apo pozite dhe inspektimi i mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë në një varg të definuar të funksioneve menaxhuese, në lidhje me saktësinë, efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat