Vazhdon problematika e mbi 350 mijë ndërtimeve pa leje që po rriten çdo ditë

Kosova

Vazhdon problematika e mbi 350 mijë ndërtimeve pa leje që po rriten çdo ditë

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 09:41
Foto Ilustrim

Problemi i ndërtimeve pa leje e me leje në vendin tonë vazhdon të jetë tejet shqetësues e sidomos me ndërtimet e mëdha banesore.

Në vendin tonë llogaritet se janë zyrtarisht 352 mijë e 836 ndërtime pa leje, por ky numër është shumë më i madh, kur dihet se ndërtimet pa leje dhe ato me leje e pa plane, nuk janë ndalur asnjëherë dhe vazhdojnë akoma.

Qeveritë e kaluara kishin bërë Ligjin  për Ndërtimet pa Leje, por i cili nuk arriti rezultate as pak të kënaqshme, ku pos aplikimeve nuk ka pasur legalizime apo të pakta.

Ministria së bashku me komuna ka zbuluar 352 mijë e 836 ndërtime pa leje prej tyre 8 mijë e 600 kanë dërguar aplikacione për legalizim.

Bajram Kadriu, zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, tha për "Syri.net", se procesi i Legalizimit te ndërtimeve pa leje ka filluar ne vitin 2014 me miratimin e Ligjit Nr.04/L-188 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas tij nga ky proces i cili ka zgjatur 3 vite (2014-2017), komunat se bashku me ministrin kane identifikuar rreth 352 mijë ndërtime pa leje. Me përfundimin e mandantit te këtij ligji, ministria (ish MMPH) ka iniciuar ne Kuvendin e Republikës se Kosovës nxjerrjen e një ligji te ri për trajtimin e ndërtimeve pa lej, i cili ligj ka hyrë në fuqi me 5 shtator 2018, ku ne krahasim me ligjin e kaluar, ka parapara procedura te thjeshtësuara, përgjegjësi gjithëpërfshirëse te institucioneve tjera, taksa me te lira etj.

"Komunat si përgjegjëse të trajtimit të ndërtimeve pa leje për kategorinë I dhe II te ndërtimeve është duke vazhduar në trajtimin e kërkesave për legalizim. Së fundmi ministria (MEA) me kërkesë te komunave dhe për shkak te pandemisë ka vazhduar afatin për dorëzimin e aplikacioneve për legalizim edhe për 12 muaj  të tjerë (deri në shtator 2021)", tha zëdhënësi Bajram Kadriu.

Ai shtoi se ky ligj ka mandat që ti trajtoj të gjitha ndërtimet pa leje që janë ndërtuar apo kanë filluar të ndërtohen deri me 5 shtator 2018. Ndërtimet eventuale pa leje pas kësaj date nuk i trajton ky ligj. Ndërtimet pas kësaj date trajtohen konform Ligjit për Planifikim Hapësinor, përkatësisht sipas Ligjit për Ndërtim.

Bajram Kadriu nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, tha se përgjegjës për ndalimin e ndërtimeve pa leje janë inspektoratet e ndërtimit ne nivel komunal për ndërtimet e kategorisë I dhe II dhe inspektorati i Ministrisë për ndërtimet e kategorisë se III. Baza ligjore aktuale ne fuqi obligon qe për çdo ndërtim qe synohet te ndërtohet duhet te pajiset me leje ndërtimore. Andaj çdo pune ndërtimore pa leje ndërtimore, është e ndëshkueshme dhe sipas kodit penal te republikës se Kosovës konsiderohet si vepër penale.

Ai shtoi se ministria nuk ka paraparë që te ndërmarr veprime për ndryshimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Së fundmi ministria në mbështetje të projektit të USAID-it/Programi për Qeverisje Ekonomike, ka lansuar aplikacionin online për regjistrimin e lendeve ne procesin e legalizimit për nivelin komunal, aktualisht nga komunat janë futur të dhëna për rreth 2000 aplikime nga qytetaret. Po ashtu ky ligj merr parasysh edhe aplikacionet nga procesi i kaluar i legalizimit, ku nga raportimet e komunave janë rreth 8600 aplikime.

Zyartari i MEA-së shtoi se ndërtimet pa leje të ndërtuara deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe të cilat gjenden në zona të mbrojtura duke përfshirë edhe parqet kombëtare vendosen në listën e pritjes. Ndërtimet pa leje që gjenden në listën e pritjes trajtohen pas miratimit të programeve nga Qeveria. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat