​ARrU bën presion që të mos rriten çmimet e ujit, kërkohet zgjidhja e furnizimit me ujë në Podujevë

Kosova

​ARrU bën presion që të mos rriten çmimet e ujit, kërkohet zgjidhja e furnizimit me ujë në Podujevë

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 14:47
Pamje nga takimi

Autoriteti Rregullator i Ujit (ARrU) po bën presion te kompanitë rajonale të ujësjellësit që tarifat për ujë të pijes të mos të rriten, por të mbesin të njëjta edhe për tre vjetët e ardhshëm.

Kështu ka thënë Hajrije Morina, drejtoreshë e këtij autoriteti, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, e cila tha se fokusi duhet të jetë në zvogëlimin e humbjeve të ujit.

Derisa deputetët e pozitës shprehën shqetësimin e tyre për mungesë të ujit të pijshëm në Podujevë, Prishtinë dhe vende të tjera.

Morina ka thënë se humbjet e ujit teknike dhe komerciale janë të mëdha në vend, ku përveç dëmtimeve financiare të ndërmarrjeve rajonale ka edhe pasoja shëndetësore te qytetarët.

Morina: Humbjet e ujit janë të mëdha dhe bëhen të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve

“Humbjet e ujit janë shumë të mëdha, dhe të pa tolerueshme. Këto janë duke i shkaktuar dëme të mëdha jo vetëm financiare ndërmarrjeve të ujësjellësit, por edhe dëme të tjera shëndetësore për qytetarët. Sepse dëmtojnë edhe kualitetin e ujit që e marrin qytetarët”, theksoi Morina.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka kërkuar nga ARrU që në këtë kohë kur ka ngritje të çmimeve për produkte të shumta, të mos ketë edhe rritje të çmimeve të ujit.

Shala: Të mos ngriten çmimet e ujit

“Te pjesa e tarifave, unë pajtohem në koncept të asaj që keni shkruar, por ju duhet të insistoni në këtë periudhë kohore që çmimi bazë të ruhet. Te konsumatori të mos preken tarifat. Duhet gjenden rrugë dhe alternativa në zvogëlimin e humbjeve në çfarë do forme juridike, ligjore dhe operative, por që humbjet mos me guxu në këtë situatë me prek çështjen e ngritjes së çmimeve të ujit. Sepse edhe ashtu jemi në një presion të madh të ngritjes së çmimeve të disa produkteve të tjera. Nëse edhe këto preken, jemi jashtë asaj që i duhen vendit”, tha Shala.

Drejtoresha Morina është përgjigjur duke thënë se janë në periudhën e përcaktimit të tarifave të reja për tri vitet e ardhshme, por shtoi se ARrU kërkon nga kompanitë rajonale që tarifat të mos rriten, por të përkushtohen më shumë në zvogëlimin e humbjeve të ujit.

Morina: Jemi duke bërë presion të zvogëlohen humbjet e ujit dhe të mos ketë shtrenjtim

“Jemi në shqyrtim të tarifave dhe nuk është e lehtë me i mbajtur tarifat me çmim të njëjtë, jemi të përkushtuar me mbajtur tarifat me çmim të njëjtë. Jemi duke bërë presion tek ndërmarrjet ujësjellësit në zvogëlimin e humbjeve të ujit. Kur të zvogëlohen humbjet, zvogëlohen dhe shpenzimet në mënyrë që me u mbajt çmimi i njëjtë i tarifave. E kemi të vështirë rastin kur kemi me pasur fillim të operimit të impianteve të ujërave të zeza. Këto i kanë shpenzimet e veta[... Mesazhin e kemi marrë dhe sinqerisht jemi të përkushtuar që tarifat në sektorin e ujit me mbetur në të njëjtin nivel edhe për tri vitet e ardhshme”, tha ajo.

Deputeti nga VV Driton Hyseni ngriti shqetësimin e tij për mungesë të ujit gjatë verës në Podujevë, siç tha ai deri në 14 orë në ditë ka reduktime të ujit pijes në atë komunë.

Kjo për Hysenin është e pa tolerueshme, i cili kërkoi që kjo çështje të afatizohet dhe të sigurohet për vitin 2022 uji i pijshëm për të gjithë qytetarët.

Hyseni: E pa tolerueshme, qytetarët e Llapit deri në 14 orë nuk kanë ujë të pijshëm

“Nuk ka logjikë të investojmë në rrjete të reja përderisa rrjetet që i kemi aktualisht janë jofunksionale. Ju drejtoresh e dini rastin me komunën e Podujevës, ku për gjatë tërë sezonit të verës, qytetarët deri në 14 orë brenda 24 orëve nuk pasur asnjë pikë ujë. Kjo është e pa tolerueshme të kemi investime kapitale, ani se unë jam dakord, sepse ne duhet secilit qytetarë kudo që është në territorin e Kosovës t’i vendoset rrjeti i ujësjellësit për ujë me cilësi të lartë. Mirëpo nuk mendoj që duhet me u investu në komunat e reja pa arrit me e rrit kapacitetin e gypave ekzistues në komunat që veç kanë rrjet të ujësjellësit dhe paguaj detyrimet për çdo muaj. Kjo është shkelje e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, ARRU duhet të jetë më afër KRU-ve në projektet e tyre investimeve kapitale në zgjerimin e kapaciteteve në ato komunat ku sot kemi rrjet, por ai rrjet nuk siguron ujë të pijshëm për qytetarët. Podujeva, Prishtina, shumë zona tjera të Kosovës janë në gjendje të rëndë, sidomos gjatë muajve të verës. Mendoj se në verën që vjen të mos na mbesin nga 100 mijë banorë në Podujevë pa ujë dhe me probleme të ujit për hapjen e një kanali dhe vendosjen e një gypi më të gjerë, kur sasia e ujit është e mjaftueshme prej liqenit të Batllavës. Kjo është e pa tolerueshme dhe duhet të afatizohet”, theksoi Hyseni.

Deputeti nga AAK Pal Lekaj u shpreh i shqetësuar për ndërhyrjet politike nëpër kompani, siç tha ai për shkarkimin e padrejtë të kryeshefit ekzekutiv të KRU Gjakova. Lekaj tha se me atë drejtor ka pasur suksese të mëdha kjo kompani.

Lekaj: Ndërhyrjet politike në KRU Gjakova kanë me shkatërrua kompaninë

“Në këtë drejtim unë jam i shqetësuar si qytetar i Gjakovës, sepse e di kur ne kemi qenë një qytet i tërë me 87 fshatra ku ka pasur keqmenaxhim dhe mos grumbullim të ujit. Pra, kemi qenë duke falimentuar komplet. Nëse ky plan i veprimit me ARrU, ndërhyn politika, mendoj që ne kemi me shkatërruar edhe këtë çka e kemi ndërtuar”, theksoi Lekaj.

Deputeti Driton Hyseni nga VV i është përgjigjur deputetit Lekaj duke thënë se nuk ka pasur asnjë prapavijë politike shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv në KRU Gjakova, por siç tha deputeti Hyseni për shkak të keqmenaxhimit të 1.5 milion euro.

Hyseni: Shkarkimi i drejtorit nuk është politik, KRU Gjakova është dëmtuar me 1.5 milionë euro

“Ne e kemi vizituar bashkërisht KRU Gjakova dhe jemi impresionuar me të arriturat dhe investimet që janë bërë aty dhe me cilësinë e ujit që është bërë. Problemi i shkarkimit të drejtorit ju e dini shumë mirë që qëndron te pagesa e dyfishtë e TVSH-së për investimet kapitale. Një gabim menaxherial i cili nuk tolerohet. Të kuptohemi, është dëmtuar KRU Gjakova një milion e gjysmë euro dhe të thuhet tash se ka prapavijë politike një shkarkim i tillë, unë nuk mendoj se është kualifikim adekuat”, theksoi Hyseni.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin me amendamente për Projektligjin për punimet nga metalet e çmuara, raport ky i arsyetuar nga përfaqësuesi i Grupit Punues, deputeti Driton Hyseni. Komisioni ka miratuar edhe raportin me rekomandime për lexim të dytë për Projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat