35 vjet në shërbim të pacientëve, pensionohet mjekja, Zarife Gashi

Kosova

35 vjet në shërbim të pacientëve, pensionohet mjekja, Zarife Gashi

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 21:43
Zarife Gashi

Pas 35 viteve punë të palodhshme në shëndetësi, është pensionuar, doktoresha, Zarife Gashi.

Për tërë këto vite, ajo ishte në shërbim të pacientëve, fillimisht në fshatin Mramor e pastaj në kryeqytet.

Gashi rrëfen për kohën, sfidat, dhe vështirësitë që pati sa ishte në shërbim të popullit.

“Si doktoreshë është pak e vështirë të përshkruhen të gjitha ngjarjet. Se ne kemi qenë edhe doktoresha, por në të njëjtën kohë edhe jemi përkujdesur për familjen. Por, unë kam qenë shumë e lumtur sepse i kam pasur tre fëmijë shumë të mirë dhe burrin gjithashtu, ndaj dhe kam kaluar një jetë shumë të mirë”, thotë ajo.

Gashi tutje tregon se në momentin kur i ka njoftuar pacientët e saj se është pensionuar, disa prej tyre kanë filluar të qajnë.

“Ka pacientë që i kam trajtuar vetë dhe kur iu tregova se po dal në pension kanë filluar të qajnë. Është e vështirë sepse kemi qenë në kontakt çdo herë për çdo problem. Pacienti është primar për çdo mjek”, rrëfen doktoresha.

Të punosh kaq gjatë në këtë profesion është e pamundur të mos kesh sfida. Gashi në këtë intervistë tregon se si i kishte ndihmuar shumë pacientë në kohën e luftës, duke harruar edhe veten.

“Çdo mjek ka sfida, por momentet më të rënda çdo mjek mund t’i veçojë. Për mua kanë qenë në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur ne patëm fatin të mbesin në fshat, nuk kishim mundësi të dalim jashtë tij. Më kujtohet rasti i parë kur në Mramor në ambulantë më patën ardhur tri gra shtatzëna për lindje dhe ajo ka qenë një gjendje shokuese për mua sepse s’kishim as kushte, por fati deshi dhe gjithçka ka shkuar mbarë”.

“Po ashtu, ka pasur raste kur kanë ardhur të plagosur me fëmijë, nëna që kanë përjetuar tmerre të luftës. Më kujtohet rasti i një familje, kur një nënë ia patën mbytur fëmijën dhe ajo pati ardhur në fshatin tonë të strehohej”.

Doktoresha Zarife Gashi sot ka përfunduar misionin e saj në shërbim të pacientëve, ndërsa ka organizuar edhe një ndejë për t’u përshëndetur me kolegët e saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat