Hapet sezoni i gjuetisë 2016-2017

Kosova

Hapet sezoni i gjuetisë 2016-2017

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 16:50
ilustrim

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2016-2017.

Sezoni i gjuetisë për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të hapet që nga data 6 nëntor e këtij viti dhe gjuetia do të organizohet vetëm ditëve të diela.

Duke u bazuar në këtë vendim, organizimi i gjuetisë do të bëhet nga menaxherët e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të MBPZHR-së, ndërkaq aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore sipas Ligjit për Gjuetinë dhe duke u bazuar në nenet e caktuara të Udhëzimit Administrativ për Planet Menaxhuese dhe Vjetore të Menaxhimit të Vendgjuetive.

Ndërkaq, këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Sipas legjislacionit në fuqi, ministri me vendim të veçantë do të shpallë mbylljen e sezonit të gjuetisë.

Me poshtë janë pikat e vendimit:

V E N D I M

Për Hapjen e Sezonit të Gjuetisë 2016 – 2017

1.      Shpallet i hapur sezoni i gjuetisë për periudhën 2016-2017 për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës se Kosovës.

2.      Sezoni i gjuetisë shpallet i hapur nga data 06 Nëntor 2016 dhe gjuetia mund te organizohet vetëm gjatë ditëve të diela.

3.      Gjuetia do të zhvillohet në reduktimin e llojeve të caktuara të kafshëve të egra në përputhshmëri të plotë me nenet 5, 8, 9, 10, 11 dhe 14 të Ligjit Nr. 02/L-53 për Gjuetinë, Udhëzimin Administrativ të MBPZHR Nr. 11/2007 për Sezonin e Gjuetisë, nenet 2, 3, 4, 6 dhe 11 të Udhëzimit Administrativ të MBPZHR Nr. 02/2008 për Përdorimin e armëve dhe municionit të përshtatshëm për gjueti, si dhe në harmoni me planet menaxhuese dhe operative vjetore të vendgjuetive.

4.      Aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore të vendgjuetive sipas Nenit 43 të Ligjit për Gjuetinë (Plani Vjetor i Menaxhimit) dhe duke u bazuar ne kriteret e Udhëzimit Administrativ, Nr. 08/2008 për planet menaxhuese dhe vjetore të menaxhimit të vendgjuetive.

5.      Organizimi i Gjuetisë në bazë të këtij vendimi do të bëhet nga Menaxheret e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

6.      Gjahtarët mund të marrin pjesë në gjueti nëse e kanë të dhënë provimin për gjahtarë, sipas nenit 11 të Ligjit për Gjuetinë dhe sipas kritereve të Udhëzimit Administrativ Nr. 23/2007 për Programin për aftësimin e kuadrove në gjueti, si dhe të ketë lejen me shkrim nga menaxheri i vendgjuetisë.

7.      Obligohet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural -Departamenti i Pylltarisë, Agjencia e Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, Menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, drejtoritë komunale për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural të Republikës së Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat