Pacolli: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Bangladeshin, lajm i mirë

Kosova

Pacolli: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Bangladeshin, lajm i mirë

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 12:26
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Popullore të Bangladeshit, duke thënë se është lajm i mirë dhe një hap tjetër në drejtim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve.

Ai këto komente i bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.

Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Bangladeshit në Kombet e Bashkuara, Ambasadori, Masud Bin Momen, në njërën anë dhe konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija në anën tjetër. 

Nëpërmjet kësaj, dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dy-palësh, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.

Pacolli tha se Kosova do të vazhdojë praktikën e tillë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të shtrijnë prezencën dhe përfaqësimin diplomatik gjithandej nëpër botë.  

Për qëllime dokumentimi dhe praktike, marrëveshja është deponuar edhe në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe, Bangladeshi njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në muajin shkurt të vitit të kaluar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat