Qendra e Mjekësisë Familjare në Janjevë pajiset me autoambulancë - Bota Sot
Qendra e Mjekësisë Familjare në Janjevë pajiset me autoambulancë

Kosova

E diel, 21 tetor 2018

Qendra e Mjekësisë Familjare në Janjevë pajiset me autoambulancë

Më: 10 mars 2018 Në ora: 13:13
Ministria e Shëndetësisë ka dhuruar një autoambulancë për qendrën e mjekësisë familjare

Me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të shpejta mjekësore për komunitetet e Janjevës, Ministria e Shëndetësisë ka dhuruar një autoambulancë për qendrën e mjekësisë familjare.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli ka deklaruar se nevoja për këtë autoambulancë në Janjevë ka qenë e madhe.

Ai po ashtu u zotua se do të ofrojnë shërbime mjekësore cilësore për të gjitha komunitetet në Kosovë.

 Ismajli: Do ofrojmë shërbime mjekësore për të gjithë

"Kosova duhet të përkujdeset për të gjithë banorët e saj, do të përkujdeset për banorët që ne jemi shumicë shqiptare në Kosovë, që kanë një ministër shqiptar që kanë një drejtoresh shqiptare, do të përkujdesemi për të gjithë pa dallim etnie, do të jemi për të gjithë. Kjo besoj që ka pasur kuptimin e dyfishtë, ju vetë e shihni që komuniteti ka nevojë dhe në anën tjetër kemi edhe një pakicë kroate, e cila nuk i ka mundësitë që t’i merr ato shërbime mjekësore dhe që kemi pasur një lloj kërkese nga të gjithë, edhe nga shteti kroat që t’u ndihmohet në këtë periudhë kohore, prandaj a është rëndësia këtu apo atje, rëndësia është çdo kund jemi duke punuar që në çdo vend të japim mundësi”, u shpreh ministri Ismajli.

Ismajli po ashtu tha kjo qendër e mjekësisë familjare ka nevojë edhe për investime tjera, mirëpo, sipas tij, do të punojnë për shërbime cilësore në gjithë Kosovën me qëllim të ruajtjes së qytetarëve nga shpenzimet mjekësore.

E pranishme në dhurimin e kësaj ambulance për qendrën e mjekësisë familjare në Janjevë ishte edhe ambasadorja kroate, Marija Kapitanoviq, e cila tha se ndihmat e tilla komuniteteve në Kosovë do iu ofrojë integrim dhe jetë më të mirë.

Kapitanoviq: Ndihma të tilla do e bëjnë jetën më të mirë

“Unë jam këtu sepse kemi edhe komunitetin kroat, është një komunitet i vogël, por këso lloje të ndihmave do ta bëjnë jetën e tyre më të mirë, dhe kjo është ajo çka ka rëndësi-që të sigurohemi që jeta e përditshme e minoriteteve të bëhet më e lehtë, në aspektin e infrastrukturës, në aspektin e kujdesit shëndetësor, sepse në mesin e këtij komuniteti, dhe jo vetëm atij kroat, por në gjithë komunitetin e Janjevës, ka njerëz të moshuar, dhe kjo do ta lehtësojë jetën e tyre. Jam e lumtur që kjo është në të mirën e të gjithë komunitetit në Janjevë, gjë e cila unë do të thosha se e bën edhe integrimin në mes të komunitetit më të mirë”, u shpreh ajo.

Edhe pse qendra e mjekësisë familjare në Janjevë është pajisur me autoambulancë, asaj i mungon shoferi, mirëpo për këtë drejtoresha e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Familjare në Lipjan, Vlora Limani-Ajnuni, u zotua se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.

Kurse, dhurimin e  kësaj autoambulance ajo e cilësoi si mundësi të mirë për të ofruar shërbime më cilësore për banorët e Janjevës.

Limani-Ajnuni: Do ofrohen shërbime më cilësore

 "Jemi në një periudhë kohore ku besoj të gjithë ne do të fokusohemi në ngritjen e shërbimeve dhe marrjen e shërbimeve sa më cilësore nga ana e qytetarëve dhe kjo është një autoambulancë e cila besoj që do të ndikoj jashtëzakonisht shumë në ngritjen e këtyre shërbimeve, në dhënien e shërbimeve më cilësore për të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe në veçanti për njerëzit e Janjevës", tha ajo.

 I lumtur që do të ofrojë shërbime mjekësore më të shpejta dhe më cilësore ishte edhe doktori përgjegjës i qendrës së mjekësisë familjare në Janjevë, Omer Shkrijel. Ai tha se ambulancë i plotëson nevojat e tyre.

Shkrijel: Jemi të gëzuar që tash do ofrojmë ndihmë më të shpejt

 "Jemi shumë të gëzuar që tash edhe ne e kemi këtë mundësi që me ofrua ndihmën sa më shpejt dhe sa më me kualitet sa i përket transportit...Në veturë po shohim se ka kapacitet edhe për me montua pajisje shtesë siç janë defiberlatorët, ekage", tha ai.

Sipas tij, kjo qendër brenda ditës vizitohet nga rreth 30 pacientë dhe me donacionet e dhuruara është mundësuar që të kenë edhe infrastrukturë më cilësore në ofrim të shërbimeve mjekësore.

Ndryshe,gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë do të dhurojë edhe një ambulancë edhe për komunitetet e Zhubit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test