Policia konfiskon veturat që i shmangen taksave doganore

Kosova

Policia konfiskon veturat që i shmangen taksave doganore

Më: 29 mars 2018 Në ora: 17:41
Pamje nga video

Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor në Prishtinë ka filluar një plan operativ për veturat të cilat janë me targa të huaja dhe i shmangen taksave doganore.

Togeri Nazmi Zogaj nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Prishtinë tha se qëllimi i planit i cili zhvillohet në bashkëpunim me Doganën e Kosovës është që të ndalohen automjetet të cilat i shmangen taksave doganore.

“Qëllimi është që këto automjete të kontrollohen për shkak se disa prej tyre i largohen taksave doganore dhe i shmangen regjistrimit në doganë”, tha Zogaj.

Ai shtoi se veturat të cilat i shmangen taksave doganore konfiskohen nga dogana ndërsa shpjegoi edhe gjobt për ata që kapen me vetura të tilla.

“Veturat që i shmangen taksave doganore konfiskohen nga dogana edhe vazhdojnë procedurat tjera që janë sipas udhëzimeve që i zbaton dogana. (01:29-01:39) Gjoba është 200 euro për të gjithë ata drejtues që i drejtojnë automjetet me targa të huaja dhe pavarësisht që janë familjarë të tyre ata nuk kanë të drejtë ta drejtojnë automjetin pa qenë pronari në automjet”, tha Zogaj.

Togeri tregoi se ky plan është paraparë të vazhdojë edhe gjatë kohës kur do të shtohet numri i veturave me targa të huaja.

“Do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim edhe do të shikojmë edhe kohën kur kemi fluks më të madh të automjeteve që lëvizin nga shtetet tjera në Kosovë”, tha Zogaj.

Ai tregoi se që nga fillimi i planit janë ndaluar 33 automjete, ku 10 prej tyre janë konfiskuar për shkak të mosplotësimit të dokumenteve./Kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat