Në Ditën e Tokës në Rahovec mbillen 1500 pemë - Bota Sot
Në Ditën e Tokës në Rahovec mbillen 1500 pemë

Kosova

Në Ditën e Tokës në Rahovec mbillen 1500 pemë

Më: 22 prill 2018 Në ora: 13:50
Ilustrim

Në vazhdën e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Tokës në Rahovec janë mbjellur 1 mijë e 500 pemë, si dhe është pastruar një deponi ilegale e mbeturinave.

Ky aktivitet i cili është organizuar nga organizata mjedisore Let's Do It Kosova, bëri bashkë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komunën dhe vullnetar të ndryshëm në mbrojtje të ambientit.

Për të mbjellur pemë dhe për të pastruar ishte edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, i cila potencojë se nuk do të ndalen deri në gjelbërimin e secilit cep të Kosovës.

Reshitaj: E kemi obligim që pasurinë shtetërore ta trajtojmë bashkërisht

"Do të na ketë përkrahje në çdo aktivitet të përbashkët i cili rrit cilësinë e jetës së qytetarëve dhe ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ne e kemi obligim që pasurinë shtetërore ta trajtojmë bashkërisht. Andaj, jam shumë e lumtur që aktiviteti ynë po vazhdon dhe nuk do të ndalemi deri sa ta pastrojmë dhe gjelbërojmë çdo cep të Republikës së Kosovës", tha ministrja.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, u shpreh se nuk do të ndalen deri në ofrimin e një ambienti më të pastër për qytetarët e komunës që ai drejton.

Latifi: Vazhdojmë me pastrimin e ambientit

"Ne vazhdojmë me pastrimin e ambientit, ne do të vazhdojmë dhe përkushtimet tona do të jenë të fokusuara në mjedise të gjelbëruara. Unë e shpall aksionin e hapur për pastrimin e ambientit dhe gjelbërimin e mjedisit tonë dhe shpresoj që përkrahja direkte e MMPH-së nuk do të mungojë. Siç nuk do të mungojë as bashkëpunimi dhe partneriteti me OJQ-të lokale, me nxënësit e shkollave dhe të gjithë dashamirëve dhe mbrojtjes së mjedisit", tha kryetari Latifi.

Nga organizata Let's Do It Kosova, Luan Hasanaj, tha se ajo çka shoqëria civile kërkon është një bashkëveprim i të gjithëve për një mjedis të pastër.

Hasanaj: Do të mbillen 1 mijë e 500 pemë

"Janë 1 mijë e 500 pemë të cilat do të mbillen në ditën e sotme në Rahovec, mirëpo do të jenë edhe mijëra e mijëra të tjera që do të mbillen në tërë Kosovën. Në Rahovec është pastruar kjo deponi sot, do të vazhdohet. Me kryetarin jemi dakorduar që do të vazhdojmë aktivitetin derisa me të vërtet ta arrijmë që përfundimisht të mos kemi deponi ilegale në Kosovë. Mirëpo, për këtë po e ritheksoj nevojitet ndihma e qytetarëve", tha Hasanaj.

Në këtë aksion për pastrim dhe mbjellje të pemëve ishte edhe vullnetarja Rajmonda Thaçi, e cila fton të gjithë qytetarët e vendit që të bashkohen në aktivitete të tilla.

Thaçi: U bashkuam që ta mbrojmë ambientin

"Së bashku jemi bashkuar në aksionin e pastrimit të këtij lokacioni këtu në komunë  e Rahovecit, si qëllim i dhënies së një mesazhi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë më të vetëdijshëm rreth çështjes së një ambienti më të pastër", tha ajo.

Po ashtu, ajo bën thirrje për vetëdijes të qytetarëve që të mos ndotin ambientin dhe të punojnë për të pasur një ambient sa më të pastërt.

Gjatë ditës së sotme po në Rahovec është mbajtur edhe aktiviteti kryesor për shënimin e Ditës së Tokës, ndërsa, edhe në qytete të tjera ka pasur aktivitete për të shënuar këtë ditë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test