Konjufca – Veselit: Thaçi ju mban në xhep

Kosova

Konjufca – Veselit: Thaçi ju mban në xhep

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 12:57
Glauk Konjufca

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka akuzuar kryetarin e PDK-së dhe të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mban në xhep atë dhe pozitën.

Konjufca ia rikujtoi Veselit deklaratën e para pak ditësh, kur tha se ideja për shkëmbime territoriale vjen nga Serbia dhe Rusia.

“Para tri ditësh thatë që ideja për shkëmbime vjen prej Rusisë dhe Serbisë. Unë pajtohem me këtë. Nuk di ky a e ka dëgju, ama presidenti i vendit me të vërtetë ka thënë ashtu, që është për shkëmbim territoresh”, tha Konjufca.

Konjufca i tha Veselit se po qëndrojnë të bashkuar vetëm me deklarata, sepse kur është në pyetje kundërshtimi ndaj Thaçit, atëherë po shihet se kë e ka në xhep ai.

“Ne po qëndrojmë bashkë vetëm me deklarata, por kur po vjen koha me kundërshtu përnjëmend po shihet e vërteta. Po shihet se kë e ka presidenti në xhep. Krejt mazhorancën presidenti e ka në xhep. Për këtë arsye hajde ta miratojmë një rezolutë ku thuhet: presidenti Thaçi asnjë takim më me Serbinë dhe ai mos të marrë asnjë vendim për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa, Veseli i tha Konjufcës se Thaçi nuk është më patriot se asnjëri nga deputetët, mirëpo do ta mbrojë Kosovën njësoj si të gjithë të tjerët, e për këtë ai tha se garanton me jetën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat