Lladrovci nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin Kadastral të Kosovës

Kosova

Lladrovci nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin Kadastral të Kosovës

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 19:18
Ramiz Lladrovci dhe Avni Ahmeti

Me qëllim të harmonizimit të gjendjes pronësore në terren me atë në regjistrat zyrtar pronësorë, Agjencia Kadastrale e Kosovës është në përgatitje të fillimit të projektit të rindërtimit të informacioneve kadastrale në komunat Viti, Kamenicë, Skenderaj dhe Drenas.

Me këtë rast, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Avni Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim për projektin e rindërtimit të informacioneve kadastrale në Zonën Kadastrale Arllat dhe Shtuticë.

Tema e interesit ishte njoftim i detajuar rreth fazave të projektit, përfitimeve që qytetarët e këtyre dy zonave kadastrale kanë nga implementimi i projektit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në implementim e ngjashëm.

Në takim nga përfaqësuesit e dy institucioneve u ngrit nevoja e bashkëpunimit sa më të ngushtë gjatë të gjitha fazave të implementimit të projektit, e sidomos bashkëpunimi me banorët e zonave subjekt i rindërtimit, duke e ditur se vetëm me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në projekt i njëjti do të rezultojë i suksesshëm. 

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci kërkoi informim sa më gjithëpërfshirës të qytetarëve rreth obligimeve që ata kanë gjatë fazave të implementimit të projektit, me qëllim të përfitimit maksimal të tyre, sidomos duke e ditur se aktivitetet e përfshira në rindërtim kryhen pa pagesë. 

Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës garantoi se qytetarët do të kenë adresë të hapur për të ngritur shqetësimet tyre, pa marrë parasysh a kanë të bëjnë me procesin e implementimit të projektit, apo me kualitetin e të dhënave që do të dalin si rezultat i tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat