Në Gjakovë 22 vjeçari i ndaluar për kanosje shkakton dëme në qeli – tenton ta lëndojë veten

Kronikë e zezë

Në Gjakovë 22 vjeçari i ndaluar për kanosje shkakton dëme në qeli – tenton ta lëndojë veten

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Të riun nga Gjakova, Nikoll Domgjoni, që përfundoi në Polici dy herë brenda pak ditësh për veprën penale “kanosje”, e ka zënë sherri sërish. Por këtë herë, brenda stacionit policor, pasi u ndalua herën e dytë. Sinjali mëson se derisa i njëjti ka qenë në Qendrën e Mbajtjes në Gjakovë, ka shkaktuar dëme në qelinë ku ishte vendosur.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se 22-vjeçari ka shkaktuar dëme në lavamanin e qelisë, si dhe ka tentuar ta lëndojë veten me qoshet e lavamanit.

Në momentin që zyrtarët policorë e kanë vërejtur se diçka nuk është në rregull, kanë intervenuar, duke ë vënë nën kontroll të dyshuarin, i cili më pas ka marrë trajtim mjekësor.

Sinjali mëson se i dyshuari nuk është intervistuar, për shkak se është nën ndikimin e qetësuesve. Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Ndryshe, Sinjali ka raportuar për të dys rastet për të cilat po dyshohet Domgjoni. Fillimisht ai e kishte kërcënuar një 52-vjeçar në një parking privat në rrugën “Sefedin Xërxa”. Të njëjtin, posa kishte dalë nga Policia, e kishte kanosur prapë, duke i shkruar te lokali për t’i ‘kërkuar’ llogari për denoncimin kundër tij.

Duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq që e çoi në Polici, Domgjoni dyshohet se i është drejtuar atij me fjalët “tash pasi jam liruar nga Policia, kam me të ardhë me kallash”.

Kjo e shqetësoi viktimën, i cili shpresoi se e zgjodhi problemin duke e denoncuar herën e parë, prandaj u detyrua ta njoftojë sërish Policinë.

Njësitë policore u aktivizuan në mesnatë, me ç’rast në orët e mëngjesit të 26 qershorit e arrestuan të dyshuarin dhe i njëjti u dërgua në stacion policor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat