Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Ferizaj, pasi i njëjti dyshohet se ka poseduar pa autorizim një mjet të rrezikshëm, ndërsa ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rasti ka ndodhur më 4 qershor 2026 në rrugën “Shaqir Hasani”, ku policia kishte pranuar informatë për një person që po shkaktonte shqetësime në hapësirë publike.
Gjatë ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një thikë. Personi është shoqëruar në stacion policor, ku pas testimit me alkooltest ka rezultuar se kishte 0.79 promila alkool në gjak.
Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve apo mjeteve të rrezikshme”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.