Përjetësohet kujtimi për dëshmorin Malush Ahmeti

Lajme

Përjetësohet kujtimi për dëshmorin Malush Ahmeti

Më: 16 maj 2010 Në ora: 18:14

Skenderaj, 16 maj - Në fshatin Rezallë të Skenderajt, me një tubim përkujtimor, është shënuar e 11-vjetori i rënies heroike e dëshmorit Malush Ahmeti dhe Dita e Shkollës fillore e këtij fshati, e cila me krenari e mban emrin e këtij dëshmori. Me këtë rast kujtimi dhe respekti për këtë dëshmor u përjetësua me zbulimin e bustit të tij. Pos familjarëve, përfaqësues të strukturave komunale të Skenderajt, shoqatave të dala nga lufta, në tubim ishin edhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, disa prej të cilëve sollën kujtime interesante për luftën dhe trimërinë e Malushit. ”Malush Ahmeti ishte shembulli ma i mirë se si duhet luftuar për lirinë e atdheut, deri në rënien e tij heroike, në vitin 1999 në përballje me forcat pushtuese serbe në fshatin Rezallë e Likoc, më 15 maj 1999 ” tha bashkëluftëtari i tij, Ilaz Zabeli. Siç kujtoi ai tash, ky dëshmorë që nga fillimet e para të luftës ishte i radhitur në radhët e UÇK-së dhe se qe nga ajo kohe ishte angazhuar në beteja të shumta anë e mbanë Drenicës. Ai gjithmonë ishte përkrah luftëtarëve dhe popullatës civile të pa mbrojtur, sepse te ai kemi pasur mbështetje të gjithë. Duke folur gjatë në emër të strukturave komunale, zëvendëskryetari i komunës së Skenderajt, z.Abdyl Imeri, tha se Malush Ameti ishte trim dhe i edukuar me nderin e atdhetarisë, ndërsa si njeri i kompletuar me virtytet e një luftëtar të lirisë, ai diti të rreshtohej në radhët e UÇK-së dhe i doli zot atdheut në shumicën e betejave që u zhvilluan në këtë anë, duke dalë fitimtar deri sa ra në altarin e lirisë, i bindur se Kosova e kishte shumë afër lirinë. Në vazhdim të këtij tubimi në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, u bë zbulimi e bustit të këtij dëshmori dhe u shfaq një program artistik./I.Fejzullahu

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat