“Bee Gees”, grupi që nuk ka pasur kurrë këngë Krishtlindjesh

Muzikë

“Bee Gees”, grupi që nuk ka pasur kurrë këngë Krishtlindjesh

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 23:09
“Bee Gees”

Mospëlqimi i këngëve të Krishtlindjeve i Barry Gibbs është zbuluar gjatë një interviste dhënë në “Breakfast” të BBC-së. Ai po fliste nga studioja në shtëpinë e tij në Miami, përpara se të realizohej dokumentari “The Bee Gees: How Can You Mend A Broken Heart”

Grupi muzikor “Bee Gees” është pjesë e “Hall of Fame”. Më 1978, shtatë këngë që kanë qenë në pozitën e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin shkruar nga Sir Barry Gibb. Sidoqoftë, një gjë që nuk e kanë bërë kurrë si grup ishte kompozimi apo realizimi i një kënge Krishtlindjesh.

Anëtari i grupit, Sir Barry, thotë se kjo ishte e qëllimshme.

“Gjithmonë i jemi shmangur. Mendoj që nuk ishte e përshtatshme ndoshta para 50 vjetësh. Këto ditë mendoj se është trik për marketing”, ka thënë ai.

Kënga e vitit 1969 dhe njëra prej dhjetë më të mirave të atij viti, “First Of May”, fillon me vargun: “When I was small and Christmas trees were tall" (“Kur unë isha i vogël dhe bredhat e Krishtlindjes ishin të gjatë”), por ishte publikuar në shkurt dhe ka të bëjë më shumë me mall dhe pendim, sesa me harenë festive.

Mospëlqimi i këngëve të Krishtlindjeve

Megjithëkëtë, “Bee Gees” ishin afër për ta publikuar një këngë Krishtlindjesh, kur grupi ishte në majën e karrierës, në kohën e festave më 1978. Asokohe e realizoi këngën "Fan Club Only". Kënga kryesore që kishte një mesazh shtatëminutësh nga treshja – “duke i mirëpritur të gjithë fansat e tyre të rinj” – e kryesonte listën e këngëve të albumit të katërt “Spirits Having Flown” dhe fliste për dashurinë për lundrim. Përfundon me një version akustik të “Silent Night”, por në asnjë mënyrë nuk mund të klasifikohet si një këngë për Krishtlindje.

“Robin ka një album Krishtlindjesh”, pranon Sir Barry, duke iu referuar albumit të fundit të vëllait të tij “My Favourite Christmas Carols”, realizuar më 2006. “Por, unë nuk kam qenë i përfshirë”. Mospëlqimi i këngëve të Krishtlindjeve i Barry Gibbs është zbuluar gjatë një interviste të dhënë në “Breakfast” të BBC-së. Ai po fliste nga studioja në shtëpinë e tij në Miami, përpara se të realizohej dokumentari “The Bee Gees: How Can You Mend A Broken Heart”.

Dokumentari i mbulon të gjitha aspektet e karrierës së “Bee Gees”, që nga lindja e vëllezërve e deri te jeta e tyre në Manchester, për të kaluar më pas te zhvendosja e tyre në Australi, para se të bëhen yje popi gjatë viteve ‘60 dhe te prekja e niveleve të reja të famës dhe ardhja e Discos. Aty trajtohen edhe uljet, vështirësitë, problemet me drogën dhe vdekjet e parakohshme.

Nëpërmjet dokumentarit tregohet se Barryt, në kohën sa po jetonte në Miami, rreth vitit 1975, Eric Claptoni i kishte sugjeruar që ta zhvendoste në këtë qytet të gjithë grupin. Ai ka treguar se pas suksesit të “Saturday Night Fever”, kur zgjohej nga gjumi, ai i gjente fansat të mbledhur në oborrin e shtëpisë së tij.

“Fama mbërriti deri në atë pikë saqë njerëzit ngjiteshin mbi mure dhe hynin në pronën time”, rikujton ai, duke shtuar se “kjo gjë, në fakt, ndodh ende, por për arsyeje të tjera”.

“Ka njerëz që hyjnë, pasi e kanë përshtypjen se shtëpia është në shitje. Shtëpia jonë ndoshta është në pozitën më të mirë në atë vend, kështu që njerëz të pazakontë e që kanë shumë para vijnë e thonë: ‘Do ta blejmë shtëpinë tuaj’ dhe unë u përgjigjem: ‘Nuk është në shitje!’”

Yjet që i jetësuan këngët e grupit

Elvis Presley, Al Green, Diana Ross, Dolly Parton, Barbra Streisand – janë vetëm disa nga qindra këngëtarë që i kanë kënduar këngët e shkruara nga “Bee Gees”.

Sir Barry ka dhënë madje mendimin e tij se kush e ka realizuar versionin më të mirë të njërës prej këngëve të grupit.

“Do të thosha se versioni i grupit ‘Boyzone’ është i parapëlqyeri im”, ka thënë ai, duke iu referuar coverit të grupit më 1996 për këngën “Words”, i cili i vendosi Ronan Keatingun dhe djemtë në krye të toplistave të Mbretërisë së Bashkuar për herë të parë ndonjëherë. “Edhe ‘How Deep Is Your Love’ i ‘Take That's’ është i veçantë për mua, për shkak se është fjala për një grup djelmoshash shumë të mirë dhe kur ata e kanë bërë ka qenë kompliment i madh”.

Filmi “Bee Gees”

Pas suksesit të filmave “Rocketman” dhe “Bohemian Rhapsody”, radhën e kishte një film për “Bee Gees”.

“Të gjithë janë gati”, konfirmon Sir Barry. “Spielberg, Paramount, motrat Murdoch janë duke investuar në këtë film. Do të mund të dalë pas disa vjetësh. Është i njëjti njeri që e ka bërë ‘Bohemian Rhapsody’, Graham King, kështu që ai di si ta përmbledhë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka bërë të ditur se tanimë është sugjeruar që aktori Bradley Cooper do të ishte një zgjedhje e mirë për portretizimin e rolit të Sir Barryt, porse ai nuk është shumë i sigurt për këtë.

“Nuk mendoj se Bradley ka menduar për diçka të tillë, por e di që nëse jam i përfshirë mjaftueshëm me regjisorin, mund të jem zgjedhje më e mirë dhe t’i paraqes personalitetet e vëllezërve të mi shumë më mirë sesa dikush tjetër”, ka thënë ai.

Dokumentari i ri paraqet në hollësi betejat e fshehta të bendit, nivelet e larta të suksesit dhe reagimet pasuese.

Veçmas kësaj, Sir Barry ka shfaqur interesim edhe për vendimin e kësaj jave të këngëtarit dhe nobelistit Bob Dylan, për t’ia shitur katalogun e tij të këngëve kompanisë “Universal”, një koleksion ky që kap vlerën prej 200 deri në 450 milionë dollarë.

“Do të mund të vijë një kohë në jetë kur vetë ju nuk e dëgjoni më muzikën tuaj. Doni të mbijetoni në pleqëri dhe të jeni shumë rehat. Doni që familja juaj të jetë rehat”, ka thënë ai.

“Nuk doni të mbesni pa para, nëse bëhet fjalë për këtë. Dhe, vërtet, jam i sigurt që Dylani ka ardhur në këtë përfundim përgjatë këtyre viteve. Mendoj se është pak më i vjetër se unë”.

Bashkëpunimi i sërishëm me Dolly Partonin

Në vitin 1983, Dolly Parton dhe Kenny Rogers kishin realizuar hit botëror me këngën “Islands In The Stream”, e cila ishte shkruar nga “Bee Gees”, ani pse çuditërisht në fillim ishte nisur për Marvin Gayen.

Në janar, Sir Barry ka bërë të ditur se do ta publikojë albumin e tij të ri “Greenfields: The Gibb Brothers' Songbook, Vol. 1”, për të cilin ai ka shkuar në Nashville ashtu që të bashkëpunonte me disa nga emrat më të mëdhenj në vend, përfshirë vetë Dolly Partonin.

“Parton ka qëndruar në vendin e njëjtë në RCA Studios dhe më ka thënë: ‘Këtu është vendi ku kam qëndruar kur e kam incizuar ‘I Will Always Love You’ dhe ‘Jolene’ gjatë një pasditeje. Është shumë ngazëlluese”.

E përzgjedhja e Partonit për ta incizuar një këngë të “Bee Gees” është pikërisht “Words”.

Mbetet të shpresohet se askush ende nuk i ka treguar asaj se Sir Barryt i pëlqen versioni i realizuar nga grupi “Boyzone”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat