​“Chopin Piano Fest” deri më 9 qershor në skenën e Prishtinës

Muzikë

​“Chopin Piano Fest” deri më 9 qershor në skenën e Prishtinës

Më: 9 maj 2023 Në ora: 22:00
​“Chopin Piano Fest”

Në Ditën e Evropës, është hapur edicioni i 13 i “Chopin Piano Fest Prishtina”, një ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë.

Nga sonte deri më 9 qershor do të mund të shijohen programet e larmishme të nivelit të lartë artistik, me koncerte nga artistë nga rajoni dhe bota.

Në hapjen e këtij edicioni, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se sot Evropa feston paqen dhe unitetin.

Szunyog: Sot Evropa feston paqen dhe unitetin

“Kam kënaqësinë dhe privilegjin të jem me ju këtë mbrëmje në ditën e Evropës, më 9 maj, për hapjen e edicionit të 13-të të ‘Chopin Piano Fest’ në Prishtinë. Sot Evropa feston paqen dhe unitetin, dhe ne vlerësojmë vlerat tona të përbashkëta dhe kulturën e përbashkët brenda BE-së dhe më gjerë. Jam i lumtur për mundësinë që i është dhënë zyrës së BE-së në Kosovë për të bashkëpunuar me ‘Chopin Piano Fest’ për të dytin vit radhazi në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne. Do të shtoja gjithashtu se ne fakt e zhvendosëm festën dhe pritjen tonë për Ditën e Evropës më 4 maj, sepse e kuptuam që nuk mund të konkurrojmë me Chopin Piano Fest”, ka thënë ambasadori i BE-së.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, tha se “Chopin Piano Fest” është një nga ngjarjet ikonike kulturore në Kosovë.

De Riu: Chopin Piano Fest, një nga ngjarjet ikonike kulturore në Kosovë

“Është kënaqësi e madhe që ju kam këtu sot, më 9 maj në ditën e inaugurimit të Chopin Piano Fest 2023, që shënon gjithashtu, ashtu siç tha edhe Ambasadori Szunyog, Ditën Evropiane, dhe që ne përkujtojmë nënshkrimin e deklaratës së Schuman, do të thotë bazën e vullnetit tonë përmes së cilës vendosëm një Evropë paqësore, për fat të keq jo jashtë Bashkimit Evropian. Në 13 vitet e fundit, falë përpjekjeve të pandërprera të ekipit të tij të jashtëzakonshëm menaxhues, Chopin Piano Fest ka qenë në gjendje të kthehet në një nga ngjarjet më ikonike kulturore në Kosovë, i aftë për të angazhuar një brez të ri në muzikën klasike dhe muzikantë dhe studentë të rinj të talentuar që marrin pjesë në koncerte dhe master klasa me artistë të mirënjohur", ka thënë ambasadori italian.

Ndërsa, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula tha se synimi mbetët shpalosja e vlerës artistike muzikore e botës në skenën e Prishtinës.

Pula: Vlera artistike muzikore e botës shpalohet në skenën e Prishtinës përmes Chopin Piano Fest

“Synimi dhe misioni ynë kryesor mbetët shpalosja dhe prezantimi i vlerës kulmore artistike muzikore të botës, në skenën tonë të Prishtinës, të festivalit tonë, Chopin Piano Fest. Të gjithë programin koncertal që e kemi përgatitur me kënaqësinë më të madhe për ju, për publikun tonë besnik, muzikë-dashësit dëshirojmë të mbesin çaste të paharruara të përjetimit artistik për të gjithë ne së bashku, si pasuri e përhershme dhe e patjetërsueshme”, tha ajo.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat