Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri 28 vjet më parë dhe realiteti i sotëm politik - Bota Sot
Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri 28 vjet më parë dhe realiteti i sotëm politik

Opinione

Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri 28 vjet më parë dhe realiteti i sotëm politik

Nga: Frank Shkreli Më: 11 prill 2019 Në ora: 06:19
Frank Shkreli

Dje dhe pardje në Tiranë qëndroi Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ku zhvilloi takime me udhëheqsit më të lartë zyrtarë të vendit si dhe me kryetarët e opozitës politike shqiptare. Sipas lajmeve, në këto takime thuhet se u bisedua mbi një numër çështjesh që kanë të bëjnë me krizën serioze aktuale politike në Shqipëri. Njoftohet gjithashtu se zyrtari i lartë amerikan të ketë biseduar me
elitën politike shqiptare edhe për një dialog të mundëshëm midis qeverisë dhe opozitës shqiptare edhe mbi subjektin aq të përfolur gjatë këtyre 28-viteve të bisedimeve shqiptaro- amerikane – reforma zgjedhore. Ishte mars/prilli i vitit 1991. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike më 15 mars të atij, kur u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Muhamet Kapllanit dhe Ndihmës/Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Raymond Seitz. Ashtu si edhe në vitin 1945, kur Enver Hoxha dëboi delegaconin amerikan nga Shqipëria për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës më 15 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që të
dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para pluraliste, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri më 31 mars, 1991.  Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arriti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit dhe një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, ç’prej vitit 1946. Zgjedhjet e 31 marsit, 1991 u konsideruan si hapi i parë drejt liberalizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe drejt hapjes së vendit ndaj botës, por edhe si mundësia për vendosjen e një procesi të demokratizimit të jetës në vend, pas izolimit komunist të vet-imponuar, prej pothuaj 50- vjetësh të vendit.

E kujtoj këtë histori, ndoshta në një përpjekje të pasuksesshme, për të venë në dukje se problemet aktuale politike në përgjithësi dhe reforma e procesit të zgjedhjeve në veçanti, i kanë rrënjët pikërisht tek zgjedhjet e para pluraliste post-komuniste në Shqipëri dhe se nuk ndryshojnë shumë nga ajo kohë. Ashtu si edhe gjatë 28-viteve të fundit post-komunizëm, procesi i zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri në mars të vitit 1991, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm.  Në atë kohë, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin patur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as mjetet dhe as përvojën e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës – në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni  i tyre, për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe penetruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysmë shekulli.

Ndryshe nga monitoruesit evropianë, 3 delegacionet monitoruese amerikane – përfshirë atë të Departamentit Amerikan të Shtetit -- refuzuan t’i cilësonin zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri, si të drejta e të lira.  Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “Fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë”. Delegacioni tjetër amerikan monitorues ishte Komisioni Amerikan i Helsinkit. Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutwiler në atë kojhë, me një deklaratë me 3 prillit, 1991, informonte median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi
elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira”.  Ish- Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, kishte thekësuar me atë rast se,
“Tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke thënë se: “Partia e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Ajo kishte përfunduar deklaratën e saj duke ofruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, “Do të mbështeste vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, ishte deklarata e para 28 vjetëve e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri më 31 mars, 1991. Reforma zgjedhore vazhdon të jetë një problem kyç i politikës shqiptare. Tiranë, 15 prill, 2019, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në një

intervistë me një grup gazetarësh të rinjë, sipas portalit të ambasadës amerikane në Tiranë, tha këto mbi procesin dhe mundësinë e reformave zgjedhore në Shqipëri:  “Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual, por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. OSBE-ja ka përcaktuar një sërë synimesh dhe objektivash për atë proces reformash, do të jetë e rëndësishme për aspiratat europiane të Shqipërisë që reformat zgjedhore të përfundohen”, ka deklaruar zyrtari i lartë amerikan, gjatë vizitës së tij në Tiranë dy ditë më parë.
Është pra i njëjti mesazh sot nga Washingtoni, si ai 28-vjet më parë, për një proces të drejtë e të lirë zgjedhjesh në Shqipëri ashtu siç ishte edhe thirrja e Shteteve të Bashkuara me rastin e zgjedhjeve të para “pluraliste” të vitit 1991, “Për zgjedhje të drejta e të lira” dhe që “Partia
e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Shtetet e Bashkuara, si atëherë ashtu edhe sot, kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e fuqimishme për parimet e vërteta të demokracisë në Shqipëri dhe ata të cilët me të vërtetë punojnë seriozisht për të vndopsur lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë. Ashtu si edhe atëherë edhe sot është në dorë të të gjithë sektorëve të shoqërisë shqiptare – por mbi të gjitha të klasës politike shqiptare – që të japin ndihmesën e tyre për krijimin e një sistemi efektiv dhe me të vërtetë funksional dhe pluralist i cili do të garantojë njëherë e mirë mbajtjen e zgjedhjeve të drejta e të lira, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Image
Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, intervistë me gazetarë shqiptarë gjatë vizitës së fundit në Tiranë


Në vitin 1991, Partia e Punës doli në zgjedhje me grupe dhe organizata që ishin të krijuara prej saj, si Fronti Demokratik, Lidhja e Grave, Lidhja e Sindikatave, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Bashkimi i Rinisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve deh Artistëve. Së bashku me këto grupe, Partia e Punës në ato zgjedhje siguroi 162 vende në Kuvendin prej 250 vendesh, ndërkohë që Partia Demokratike fitoi vetëm 65 vende në parlamentin e asaj kohe. Sot, përflitet se Kryeministri Rama ka në mend të shkojë në zgjedhje me “parti të reja të opozitës”, pas djegies së mandative të Partisë Demokratike. Shpresojmë që “partitë e reja të opozitës”, të mos jenë si Fronti Demokratik i zgjedhjeve të para “pluraliste”, të vitit
1991.
Thonë se sa më shumë të ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten të njëjta, në themel. Por në të vërtetë ka një ndryshim: shqiptarët e vitit 1991 kishin shpresë për një jetë më të mirë pas shembjes së Murit të Berlinit. Nuk jam i sigurt nëse kjo shpresë, për një të ardhme më të mire, vazhdon të jetë e tillë sot. Shpresat e mia për ndryshime themelore në trojet shqiptare, fatkeqsisht, sa vijnë e veniten me kalimin e viteve, jo vetëm për reformën zgjedhore por në përgjithësi. Por ajo shpresë

që mbetet ende për një FILLIM TË RI, “se pas dimtrit vjen një verë” vazhdon të jetë me shqiptarët e një brezi tjetër të lodhur, e të cilët presin për 28 vjetë për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre, pra, me ata, “Të Arratisur, syrgjynosur, Rraskapitur dhe katosur”,
të cilët, “Po vajtonj pa funt, pa shpresë”, duke kënduar së bashku me Nolin: 
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës. (“Anës Lumenjve”, nga Fan Noli)

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, në Mars/Prill 1991.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...