Partia e Punës i shtyri zgjedhjet në vitin 1991

Opinione

Partia e Punës i shtyri zgjedhjet në vitin 1991

Nga: Luftulla Peza Më: 2 qershor 2019 Në ora: 22:18
Luftulla Peza

Zgjedhjet vendore, që kemi përpara mund të shtyhen, vetëm duhet vullneti i shumicës dhe zbatimi i demokracisë. Ngerçi politik në Shqipëri sa vjen epo ashpërsohet, që tregon se vendi po kalon krizë politike të thellë. Në paraqitjen e jashtëme duket sikur është ngërç midis pozitës dhe opozitës, por kjo është vetëm pamja sipërfaqsore e problemit. Për këtë ngatërrohen edhe ambasadorët dhe politikanët e huaj, që e shohin problemin nga larg dhe japin këshilla pa vend. Këta nuk e njohin shoqërinë shqiptare dhe plagët e saj të thella. Prandaj propozojnë të ulen dhe të bisedojnë “ky” dhe “ai”për të ndarë byrekun.

Po shqiptarët?

Kriza e thellë e vërtetë në Shqipëri është midis popullit gjithnjë e më i varfër, më i shtypur dhe më i përbuzur nga arroganca qeverisëse, korrupsioni që po e rjep dhe pushtetit gjithnjë që nuk i sheh hallete popullit. Gjendje në Shqipëri gjithnjë po bëhet edhe më e vështirë për të jetuar, prandaj tërijtë po largohen grumbuj grumbuj nga vendi dhe kjo nuk i bën përshtypje qeverisë.

Pa opozitën nuk mund të bëhen zgjedhje dhe kjo duhet vlerësuar mirë nga shumica, që pushtetin e ka marrë me vjedhje të votave. Zgjedhje quhen kur ka 2 ose më shumë pjesmarrës opozitar. Me një palë nuk bëhen dot zgjedhje, por vetëm vendim marrje, zaptim i pushtetit. Dhe po shkoi puna deri këtu, shumica mos të gëzohet shumë, që do të marrë të gjithë pushtetin dhe do të korrë frutet e vetme. Lufta civile është para derës dhe me këtë do të digjet bashkë me të thatin edhe i njomi. Prandaj socialistë të ndershëm merreni në dorë situatën dhe mos leni të përfaqësoheni vetëm nga llafazanët dhe ata, që rendin vetëm pas interesave personale.Nesër të gjithë do të jeni fajtorë dhe do ta paguani shtrenjtë heshtjen e sotme.

Zgjedhjet duhet të shtyhen, se kështu e kërkon situata politike, kështu e kërkon i gjithë populli opozitar, jo vetëm opozita politike. Shumica duhet ta shohë në sy realitetin e errët shqiptar, ashtu siç është në të vërtetë dhe duhet ta vlerësonte atë drejtë.

Edhe Partia e Punës diti të tregohet me e arsyeshme se sa Partia Socialiste e sotme.

Në vitin 1991 në vend ishin caktuar të mbaheshin zgjedhjet gjatë pranverës. Shqipëria sa po kishte hyrë në shoqërinë pluraliste. Kudo bëheshin mbledhjet për paraqitjen e progamit të zgjedhjeve. Më kultohet mjaft mirë një mbledhje e tillë paraelektorale u zhvillua edhe në lagjen tonë nr. 8 në Tiranë, në kinema Agimi.

Kinemaja ishte mbushur plot, sa që shumë vetë ishin në këmbë. Mbledhjen e drejtonte sekretarja e partisë e rajonit nr. 3 të Tiranës, shoqja Raimonda Bozgo, grua e shkathët, që e zotëronte postin dhe mjaft e sjellshme dhe me kulturë. Unë isha në këmbë, pasi vendet ishin të zëna të gjitha.

Zonja Raimonda Bozgo hapi mbledhjen dhe na njoftojë se ajo organizohej për zgjedhjet e reja të Kuvendit Popullor dhe se do të paraqitnin kandidatët e tyre subjektet e PPSh, organizata e rinisë, organzata e Frontit Demokratik dhe organizata e gruas. Ajo na tha se edhe opozita e re do të paraqesë kandidatët e saj, por ende nuk është gati për këtë. Në sallë ishte qetësi e madhe.

Ngrita dorën, drejtuar presidiumit të mbledhjes dhe kërkova fjalët për të bërë pyetje.

-Urdhëro shok më tha shoqja Raimonda.

-Pyetja ime është: Opozita ka kërkuar të shtyhen zgjedhjet, ajo sapo është formuar dhe kërkon edhe ca kohë për tu përgatitur. Pse të mos shtyhen zgjedhjet, që të marrë pjesë edhe ajo në gjedhje?

Në këtë kohë në sallë u dëgjua një zhurmë e madhe, që nuk kishte të sosur. Qindra duar me gishtin e madh drejt meje, lëviznin në ajët dhe të gjithë thërrisnin: “agjent i CIAS, UDB, tradhëtar, i poshtër, antikomunist etj. Raimonda mundohej të rivendoste qetësinë, por akuzat në adresën time vazhdonin pa pushim nga pjesmarrësit, që ishin ngritur në këmbë tepër të revoltuar.

Në këtë kohë 5-6 të rij mu afruan dhe më rrethuan, dy prej tyre më thanë:

“Mos ki frikë, se në rast se ata të sulmojnë fizikisht, ju turremi ne dhe i bëjmë të gjithë për spital”. Vura buzët në gaz, ju shtërngova duart të rinjve dhe ju thashë që nuk e besoj të ndodhë gjë. Por ata gjatë gjithë kohës së mbledhjes më kishin futur në mesin e tyre dhe ndiqnin me vemendje çdo lëvizje të kundërshtarëve. Prej të rijve mora forcë më shumë.

Pasi u vendos qetësia Raimonda na njoftoi se propozimi për shtyrje të zgjedhjeve ka shkuar në organet qendrore dhe po analizohet, por ne kemi planin tonë të punës dhe do ta ndjekim atë.

Kjo ishte mbledhje në lagjen nr. 8 të Tiranë, ku banonin shumë oficerë të lartë të sigurimit të shtetit, shumë prej tyre pensionistë. Pjesa më e madhe e tyre ishin komunistë fanatikë. Por midis tyre kishte shumë komshij të mi, i njihja dhe më njihnin shumë mirë, megjith atë fanatizmi politik, i kishte verbuar. Disa prej tyre nuk më flisnin fare me gojë më pas.

Pas disa ditësh Raimonda kishte takuar me gruan time Liljanën dhe i kishte shprehur admirim për fjalën e mia në mbledhje. “Bravo i qoftë Luftullait, kishte koncepte shumë të drejta për demokracinë”ishte shprehur ajo.

Unë në atë kohë isha renditur me studentët dhe në krahun e opozitës së re shqiptare. Kisha marrë pjesë në grevat e studentëve të Tiranës bashkë me Sali Berishën, Azem Hajdarin, Gramos Pashkon dhe shokë të tjerë, mblidhja ndihma për to bashkë me shokët e mi Iljaz Terollin, Ramazan Garorin etj. Ishin kohë të vështira, por edhe populli kërkonte drejtim për të përmbysur rregjimin e diktaturës.

Pas disa ditësh u publikua në shtyp vendimi i PPSh për të shtyrë zgjedhjet, të cilat u organizuan në mars të vitit 1992, një vit më pas. Ja, ky shembull i mirë le të shërbejë edhe tani.

Prandaj mendoj që zgjedhjet duhet të shtyhen në interes të gjitha forcave politike, por në radhë të parë të vendit, të cilit i duhet qetësia. Qeveria jonë forcën e saj ka vende të tjera ku duhet ta tregojë dhe i sjellë dëm të madh vendit, duke ndejur gojë mbyllur ndaj ministrit të jashtëm grek dhe dhe presidentit sërb, që na kërcënojnë me sulme ushtarake apo ndaj k/ministres sërbe, që shqiptarët i quan njerëz të zbritur nga mali. Në këto raste në të gjithë botën demokratike bëhen nota proteste, tërhiqen ambasadorët apo dhe veprime të tjera, por kurrsesi nuk rrihet gojëmbyllur, sepse atëhere kot qe rrin edhe qeveria, që nuk i del për zot vendit të saj.

Unë kam qenë antar i PPSh, komunist, por gjithmonë njeri i ndershëm, asnjeri nuk kam spiunuar ose ti dal dëshmitar për ta futur në burg, kam shpëtuar shumë njerëz nga burgu i sigurtë. Të tillë kanë qenë shumica e komunistëve shqiptar, të parët në frontet më të vështira dhe të fundit në pretendime. Por këtë virtyt të lartë njerzorë, udhëheqja e PPSh e shfrytëzoi për të keq, na la të gjithëve të varfër. Ngela i zgënjyer nga partia, prandaj kur erdhi rasti, më 6 janar 1991, u largova nga PPSh.

Edhe tashti kemi veç zgënjime, në sajë të politikës së mbrapsht, që nuk i shërben vendit. Por shtyrja e zgjedhjeve vendore duhet të diskutohet posaçërisht nga qeveria dhe Kuvendi dhe të mos lihet në dorë të aventurierëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat