(Ro)botët kundër Xhelalit

Opinione

(Ro)botët kundër Xhelalit

Fadil Lepaja Nga Fadil Lepaja Më 11 dhjetor 2019 Në ora: 14:42
Xhelali Sveçla

Titulli i sotëm, është një fjali e thjesht politike. Një kryefjalë, një kallxues edhe Xhelali. Veprimi bie mbi Xhelalin do të thoshte një gjuhëtar, por një politikan do të mendonte para se të përgjigjej. Të jesh kundër nuk është veprim. Pra, nëse nuk ka dilema gramatikore, ka dilema politike se mbi kë bie veprimi.

Kështu, robotët, në shekullin e kaluar, janë menduar për të zëvendësuar njerëzit, që lodhen, që mendojnë dhe që kanë edhe zemër. Problemi është sikurse me ushtarët. Si të mendojë, nuk është ushtar. Ushtari dhe roboti veprojnë me komandë, pa e pasur të “lejuar” pyetjen “pse”.  Veprojnë pa debat. Kështu edhe (ro)bot-ët.

Kush është Xhelali, e dinë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që për (ro)bot-ët të cilët, qytetarët dijnë pak. Nuk janë emra të njohur. Janë kryesisht të rinjë dhe të paidentifikueshëm (ro)bot-ët. Kur në mes tyre ndeshim  ndonjë emër që ka kuptim politik, atëherë edhe fushata bëhet e identifikueshme, i nxjerr autorët në shesh dhe si e tillë e humbë efektin mbi qytetarët.Pra, (ro)bot-ët  nuk kanë emër politik.

Duhet sqaruar qysh në fillim se nuk është fjala për robotët, që janë produkte të teknologjisë së lartë. Mund të thuhet edhe se janë robot social, të cilët veprojnë në rrjete sociale, dhe në media, të nxitur dhe të instruktuar nën një komandë. Ata janë pa ndërgjegjje qytetare, dhe pa etikë,  apo të pandërgjegjshëm për pasojat e veprimeve të veta, ata veç i kryejnë detyrat për të cilat janë trajnuar dhe paguhen. Tekstin dhe orientimet i marrin të gatshme, sikurse edhe pagesën për shërbimet e tyre.

Por, kjo ndodhë, veç në Serbi, jo te ne, dhe janë më tepër pohime të opozitës serbe.

Sidoqoftë, këta tonët, pra (ro)bot-ët, janë pa këto ditë, krejtësisht hapur, duke shetitur nëpër profilet e “armiqëve” publik, të anatemuar nga (pu)shteti ynë demokratik e patriotik.

Kush janë“bot”-ët ?  Kjo shprehje po përdoret shumë, sidomos në mediat në Serbi, për të identifikuar me këtë emër një numër të madh të aktivistëve, kryesisht të rinjë të partive politike të trajnuar, për të udhëhequr fushata ndaj personaliteteve dhe organizatave apo edhe institucioneve të caktuara, sipas porosisë së shefit.

Tash, në Serbi shefi i madh është presidenti Vuçiç dhe ai akuzohet se e ka në dispozicion një rrjet të tillë prej qindra aktivistësh, të cilët kujdestarojnë nëpër rrjetet sociale dhe në media, me komentet e tyre, të cilat për shkak të anonimitetit, do të duhej të krijojnë bindjen se ato paraqesin mendimin popullor.

Po ashtu (ro)bot-ët,  e krijojnë edhe efektin e rremë të interesimit publik për dikë apo për diçka, duke pëlqyer prej dhjetëra profileve të cilat i kanë hapur në rrjetet sociale. Për të qenë më bindës, me një profil e shanë dikë, me tjetrin gjoja e mbronë.

Duke qenë se janë shumë, dhe marrin instruksionet nga një qendër, dhe secili përdorë shumë profile të rrejshme  atëherë fuqia dhe ndikimi  i tyre në krijimin e opinionit marrin përmasa frikësuese sidomos në rrethana kur shteti ligjor nuk funksionon dhe mediat janë të kontrolluara.

Kur këto njësite virtuale kombinohen me debatet e porositura në mediat e kontrolluara (poseduara), atëhere ata marrin fuqi të jashtëzakonshme  dhe shndërrohen në instrument të qeverisjes autoritare (jo)formale, krejt kjo nën tingujt e hymnit të lirisë.

Për dallim nga shqiponjat e bardha serbe, këto shqiponjat tona të zeza,  pa pritë e pa kujtuar gjuhen në profil të personaliteteve që janë cak, ku shajnë, përqeshin, përbuzin shpifin nën mburojën e anonimitetit, krejt në funksion të diskreditimit dhe rrlënimit publik të tyre. Ata bëjnë krejt çka një zyrtarë i lartë, apo person publik, nuk mund ta bëjë.

Por Xhelali nuk u kap për gardhi. Thënia e vjetër, se “duhet të mbahesh për gardhi, kur dy veta të thonë se je i dehur”, në kohën e sotme mund të riformulohet, kur “bot”-ët të sulmojnë, ti duhet të mbahesh për gardhi, qoftë edhe nëse nuk e ke pi asnjë pikë raki.

Xhelali, sot ishte vetëm kundrinë, mos të merremi me Xhelalin. Ishte kundrinë politike, sepse agresiviteti dhe arroganca e (ro)botëve ra mbi të me krejt vrullin e dëshprimit pas zgjedhorë dhe shqetësimit të opozitës së ardhshme  përpara marrëveshjes së pritur për qeverinë e re.

Të jesh kundër takimit të Xhelalit me Gjuriqin, nuk përbën shkelje ligji.  Nuk përbënë shkelje ligji as nëse thua se kjo nuk përputhet me parimet e shprehura më herët të lëvizjes vetvendosje. Nuk përbënë shkelje ligjit, as nëse i thuhet “edhe ti qenke sikur ne, veç se ti je më i keq, sepse, na shaje derisa po takoheshim me Gjuriqin”. Është apo nuk është?

Është subjektive. Është politike. Ajo që është e sigurtë, është se armata e (ro)botëve, të cilët kanë qenë aktiv tash një kohë të gjatë në Kosovë, të krijuar dhe  udhëruar nga (pu)shteti (jo)formal, më nuk po veprojnë si njësite speciale, të infiltruara tek kundërshtarët. Tash po rigrupohen në formën e opozitës.

 Zyrat për media,  dhe zëdhënësit kanë qenë krejtësisht pasiv, këto vite,  ndërkohë që gladiatorët modern kanë dhënë shpirtë nëpër arenat bashkohore, të debatit, ku gazetarët milioner kanë ideuar,  formësuar dhe drejtuar fushatat e (ro)bot-ëve. Përse me shkue paratë jasht, për fushata. Edhe ne (ro)bot për gara, kemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat