Sot në republikën e Kosovës po ndodh çka nuk ta merr mendja

Opinione

Sot në republikën e Kosovës po ndodh çka nuk ta merr mendja

Nga: Mehmet Halimi Më: 10 janar 2020 Në ora: 13:13
Mehmet Halimi

Te udhëheqësit te të cilët mbizotërojnë interesat

 personale mbi interesat popullore, popullit tonë

as nuk i nevojiten dot udhëheqës të tillë.

Pas mileniumeve nën robëri të okupatorëve të huaj, popullit të Kosovës iu dha shansi historik të fitojë lirinë, falë përpjekjeve të vazhdueshme të atdhetarëve të devotshëm besnikë, stoikë e heroikë, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e kombit e të atdheut të tyre: pasurinë, mundin e djersën, gjakun e jetën, diturinë e mençurinë, duke bërë rezistencë titanike vetëm e vetëm për ta ruajtur gjakun e pastër kombëtar, gjuhën e truallin, doket e zakonet, traditat e virtytet për të qenë vetvetja në trojet e veta stërgjyshore e autoktone. Sepse  “Të harrosh gjuhën e nënës/ është si të digjesh vetë / Kombi është gjaku i zemrës

Gjuha është identitet”. Këtë identitet si pasurinë më të shenjtë e më të shtrenjtë e bashkë

me të edhe atdheun e trojet tona gjithkah i thonë : bukës – bukë, e ujit – ujë është atdheu ynë, e nuk është i huaj. Ky thesar kaq i shtrenjtë, nuk ka qenë lehtë të ruhet e të mbrohet përballë zaptuesve të fortë shekullorë e perandorive të mëdha e të fuqishme ushtarakisht, që ushtruan sundimin e tyre më të egër ndaj popullit tonë të vogël e të pambrojtur e pa aleatë të fortë.

Populli ynë, ndonëse gjatë periudhave të ndryshme historike, që i pashkolluar e i paarsimuar, por ai gjithmonë qe i vetëdijshëm ta ruaj gjuhën e atdheun, virtytetet dhe traditat kombëtare e fetare, të rezistojë dhe të luftojë dhe të sakrifikohet për këto vlera.

Lapsi është më i fortë se topi, “e ardhmja është e mësuesit, e jo e gjeneralit”(Hygo).

Dhe atëherë kur populli ynë u shkollua e u arsimua dhe u vetëdijësua se pa liri një popull nuk mund të përparojë, e madje as të ekzistojë, bijt dhe bijat më  të mira, rrokën armët, dolën në mal e u rirreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës-UÇK dhe bënë rezistencë kundër terrorit shtetëror të egër e barbar të hegjemonizmit serb.

Bota e pa dhe e kuptoi luftën tonë të drejtë për çlirim kombëtar, ndaj e përkrahu moralisht e materialisht dhe ushtarakisht në krye me SHBA-të, NATO-n e BE-në dhe falë përpjekjeve tona e ndihmës së tyre – Kosova u çlirua nga çizmja shekullore sllavoserbe. Fituam lirinë dhe u bëmë zot në shtëpitë tona, në atdheun tonë të lirë të shenjtë e të shtrenjtë – në Kosovën tonë martire, stoike e heroike. . Mirëpo, shtrohet pyetja:  a po dijmë ta gëzojmë këtë liri?

Kaluan njëzet vjet, dy dekada jetë në liri dhe ne nuk po mund t’i marrim këmbët e të ecim drejt përparimit e zhvillimit e konomik e politik, arsimor e kulturor. Sepse varfëria mendore sjell edhe varfëri ekonomike, padrejtësinë e nepotizmin, korrupsionin e kriminalizimin e shoqërisë sonë, e që arriti kulminacionin. Ndonëse, pasuan zgjedhje pas zgjedhjesh, por situata politike dhe ajo ekonomike, e veçanërisht ajo juridike nuk u përmirësua fare, përkundrazi u çoroditë e u ntrashë për të keq.

Ndaj, duke parë këto dukuri të shëmtuara, Kosova po boshatiset, kuadrot tona të profileve të nryshme më të nevojshme për vendin e rinia, truri e gjaku i kombit po na ikë jashtë-anembanë botës, kah sytë këmbët, e ç’na duhet neve Kosova pa njerëzit e saj. Sa vlenë Kosova pa pasurinë, pa thesarin mendor e fizik, pa shtetasit e saj? Gëzim i madh që fituam lirinë, të cilën nuk po dijmë ta gëzojmë e nuk po dijmë as shtetin ta ndërtojmë si na ka hije të na ketë lakmi edhe bota.  Ç’ po ndodh me ne?  E pyetën njëherë në një tubim, pleqnarin e mentarin e shquar, Tahir  Berishën e Drenicës: - Fol Tahir Berisha çka po ta merr mendja për këtë punë? – Po sot po ndodh edhe çka nuk ta merr mendja, e aty ku ndodh çka nuk ta merr mendja, nuk di çka lyp mendja aty – u përgjegj Tahiri në mënyrë lakonike e filozofike.

Populli ynë duroi mjaft dhe i provoi qeverisjet e të gjitha partive, por u zhgënjye keq. Ai kishte besë e shpresë t’i provojë edhe dy partitë e paprovuara, e më pak të korruptuara LVV-ën dhe LDK-ën dhe sovrani popull me votën e tyre të lirë e demokratike ua dhe besimin që ta formojnë qeverinë.

Mirëpo, ç’po ndodh tash? Për interesa personale, egoiste e karrieriste, për poste e kolltuqe, liderët e këtyre dy partive nuk po mund të merren vesh ndërmjetveti. A thua këta nuk mendojnë se Adem Jashari sakrifikoi  veten dhe tërë familjen, jo për të gëzuar lirinë vetë, por për ta gëzuar populli, për ta gëzuar ne. A nuk u bëjnë përshtypje këtyre mbi 300 masakra kolektive, mbi 13. 600 viktima, mbi 2000 dëshmorë, mbi l600 të pagjetur, mbi 20. 000 motra tona të dhunuara seksualisht dhe i nëpërkëmbur e i prëbuzur nderi ynë familjar e kombëtar, e mijëra shtëpi të djegura, sakrificë kjo, vetëm për lirinë që ta gëzojmë ne, të cilën nuk po dijmë ta gëzojmë e ta çmojmë, ta ruajmë e ta përparojmë.

A nuk është anakronike kur përballë këtyre sakrificave aq të mëdha, tragjike e të dhembshme të kombit tonë shohim e përballemi me dukurinë lakmiçare se si liderët tanë partiakë, janë kapur për poste e kolltuqe e nuk po mund të sakrifikojnë dëshirat, synimet e qëllimet e tyre karrieriste, e po shtyhen me bërryla, kush do të marrë më tepër pushtet e poste, e për interesa të veta të ulëta e meskine po sakrifikojnë interesat e popullit të tyre, po sakrifikojnë dëshirën e vullnetin, synimet e qëllimet e tij, po e pengojnë  popullin për ta gëzuar lirinë aq shumë e aq gjatë të mirëpritur, të cilën ky populll e pagoi aq shtrenjtë. Udhëheqës të këtillë, të cilët nuk sakrifikojnë interesat e veta për interesa të popullit, çka i vyen  popullit udhëheqës të tillë? Ç’është me rëndësi për popullin se kush e cila parti do të marrë një post më pak ose më tepër?

Për popullin me rëndësi është të zgjidhet problemi dhe populli të mos jetojë pa qeveri, pa shtet e pa pushtet. Udhëheqësi i mirë, udhëheqësi popullor, duhet të jetë në shërbim të popullit, në shërbim të votuesve, të cilët ia dhanë besimin, madje edhe të sakrifikojnë për popull e shtet, jo vetëm postin, por të angazhojë gjithë intelektin e diturinë dhe pasurinë e vet, punën e djersën, madje nëse ka nevojë edhe jetën. Si nuk mund të merren vesh ndërmjetveti dy liderë të dy partive e  ta çojnë në vend vullnetin e popullit të vet, të formojnë qeverinë sa më parë që është e mundshme, e jo të luajnë me nervat e me durimin e popullit të vet, e qe tre muaj ta lënë popullin në ankth se ç’po ndodh me udhëheqësit tanë  “me këmbë në tokë e me mend në kokë”?

 Si duket këtu po ndodh veprimi i fjalës së urtë: “ Dy pleshta me një vend, e dy shqiptarë me një palë mend vështirë është t’i gjejsh”. E deri kur ne do të qënrojmë të ndarë e të përçarë?  E deri kur ne do të punojmë për qejf të tjetrit (të huajit), e në dëm të vetit(të popullit). A thua do të mbushemi mend ndonjëherë e të punojmë për popull, për shtet e për pushtet, për përparim e zhvillim ekonomik e politik, kulturor e arsimor dhe për shtetndërtim juridik e drejtësi shtetërore apo me ne po ndodh çka nuk ta merr mendja e arsyeja e shëndoshë?!

Ta keni të qartë se me zgjedhje të reja, nuk do të zgjidhni asgjë, por Ju do të jeni humbësit dhe dështuesit më të mëdhenj, sepse e keni humbur besimin e popullit, e ai  që humbë besimin e popullit, ka humbur çdo gjë. Populli nuk do t’ua falë gabimet askujt.

Pra as juve, që po luani me të, përkundrazi do të Ju  mallkojë e ndëshkojë siç di ai VETË.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat