Kur sektet dhe feja besohen më shumë se institucionet

Opinione

Kur sektet dhe feja besohen më shumë se institucionet

Nga: Jak Simoni Më: 6 korrik 2020 Në ora: 18:37
Jak Simoni

Aristoteli kishte thëne në  kohën e tij: Njeriu është kafshë sociale. Në atë kohë bëhej fjalë për integrimin e tij në polis, por ka qenë dhe  është në natyrën e njeriut të integrohet në institucionet e shoqërisë, madje dhe besimi, krahas të  tjerave, është dhe  formë  shoqërizimi.  Njeriu, gjithashtu, është  një qenie jo indiferente ndaj të  tjerëve, por  empatike; kërkon  të gjejë mbështetje, kur ndihet keq, dhe të ofrojë mbështetje, kur të  tjerët ndihen keq. Kohë më parë, të paktën në vendin tonë, mbështetja kryesore ishte kryesisht tek rrethi farefisnor, tek komuniteti  dhe verbërisht tek besimi fetar, përjashto periudhën, kur forcërisht do të besoje në një institucion të vetëm diktatorial dhe të verbër; verbuar tërësisht  nga i vetmi qëllim: mbajtja përjetë e pushtetit. Kohët e sotme, për motive kryesisht gjeografike, të detyruara nga  ekonomia (njerëzit janë të shpërndarë në vend dhe jashtë vendit duke kërkuar një ekonomi më të mirë), dhe vetë  egoizmi  për të pasur më shumë, kanë bërë që të  dobësohen  tej mase këto lidhje farefisnore dhe njerëzit të gjenden të vetmuar dhe kur janë në mes të metropoleve.  

Gjithashtu, jo të gjithë besojnë në mënyrë të verbër tek fetë tradicionale; duket  se dhe ata  kanë të bëjnë më shumë me gjithçka tjetër sesa me besimin.   Në këto kushte, duke shtuar dhe atë të pasigurisë ekonomike, ofrohen ekstremistet dhe sektet fetare. Të parët të çojnë në front të luftës fetare, të dytët, në disa raste, në vetëvrasje. Janë  disa raste, por  kjo e fundit përben kulmin makaber të këtij fenomeni dramatik. Ka një serë faktorësh që bëjnë që  njeriu të ketë  dhe një   dallim tjetër nga qeniet tjera të gjalla, të cilat, kur vetëvriten,  e bëjnë  për një motiv jetësor; d.m.th për të mbrojtur veten, të vegjlit apo në shumë raste dhe specien, si p.sh bleta etj. Shtrohet pyetja: si ka mundësi që u besohet  më shumë sekteve sesa institucioneve?

Ngaqë anëtaret e kësaj familje të gjorë ishin  me një farë niveli arsimimi, shtrohet gjithashtu pyetja: si ka mundësi  që ato çka thotë sekti, feja apo librat e tyre janë të besueshme dhe ato çka kishin mësuar dikur në shkollë, si p.sh në biologji, jo? Patjetër se në çdo libër biologjie është shkruar se çdo organizëm të gjallë, përfshi dhe njeriun, kur i pushojnë për një far kohe funksionet metabolike e cerebrale, nuk rikthehet më në jetë. Meqenëse u kishin hyrë librave fetar dhe shpjegimit fetar, sepse për të kuptuar se kur një organizëm vdes nuk rikthehet më në jetë nuk ka nevojë për as një lloj shkence apo teorie fetare ose jo.  Më sa duket, kur janë shpjeguar  këto gjera, janë shpjeguar në mënyrë të përmbysur dhe ndonjëherë ndoshta   shpjegohen dhe sot. Konsiderohet përrallore shkenca dhe e vërtetë feja.

Nuk është problemi se mund të eliminohen vetëvrasjet dhe vetëflijimet, sepse ndodhin kudo, por diçka mund të bëhet patjetër. Kur dikush gjendet i vetmuar, i izoluar, në hall, në  kushte të rënda ekonomike, të paktën të ketë si alternativë dhe  institucionet shtetërore të shërbimeve sociale. Dhe në rast se dikush do që të gjejë kuptimin e jetës sipas teorive dhe librave, duhet të ketë si alternativë, ashtu si në të gjitha vendet perëndimore,  dhe institucionet  e hapura edukative shtetërore të të gjitha niveleve pa përjashtim. Aty ku si rregull duhet të mësohet shkencë dhe filozofi, teizëm dhe ateizëm; aty ku mësohet se feja është mitologji, filozofi, por dhe formë manipulimi, nënshtrimi, mashtrimi; gënjeshtra më e madhe e njerëzimit apo dhe interpretime më të moderuara mbi fenë; ‘duke u lutur tek ajo që quhet fe për një botë më të mirë, njeriu po ja uron vetes këtë botë më të mirë’ (Horkheimer).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat