Çfarë fiton Kosova nga një marrëveshje e ndërmjetme me Serbinë?!

Opinione

Çfarë fiton Kosova nga një marrëveshje e ndërmjetme me Serbinë?!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 1 qershor 2021 Në ora: 08:33
Fotografi ilustruese

Sot dhe nesër Lajçak dhe Palmer do të jenë në Kosovë. Një lajm i mirë. Por që duhet shfrytëzuar pozitivisht. Dhe kjo nuk ndodh me qasjen e Enver Hoxhajt, i cili preferon njërin prej ndërmjetësuesve dhe refuzon tjetrin! Një politikë absurditeti! Megjithatë ne nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë me dialogun. Ndoshta dy bashkëbiseduesit e lartpërmendur sjellin ndonjë projekt. Ka mundësi që ky projekt për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë të parashikojë një zgjidhje të ndërmjetme e jo përfundimtare. Pra të mos parashohë njohjen e Kosovës nga Serbia e ndoshta edhe pranimin në OKB të saj.

Megjithatë një marrëveshje në paradhomë do të shërbejë për diçka. Prandaj është e domosdoshme që nëse do të ketë një projekt-marrëveshje parafinale, ajo të mos ndryshojë për keq në marrëveshjen finale. Madje nuk do të kishte nevojë që pas një marrëveshjeje të konsideruar si e ndërmjetme të kishte një marrëveshje finale me njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo sepse një marrëveshje e ndërmjetme do të duhet të çojë automatikisht në integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO dhe realizimi i këtij objektivi e çon atë drejt njohjes së paevitueshme.

Nëse e zbërthejmë më tej këtë koncept, atëherë duhet që një marrëveshje e tillë të garantohet me njohjen shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, (Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro). Greqia ka dhënë shenja të qarta se ajo do ta bëjë këtë, do ta njohë shtetin e Kosovës. Para dy javësh ishte për vizitë në Prishtinë kryebashkiaku i Athinës, një zë i fuqishëm i politikës greke. Këtë javë vjen për vizitë ministri i Jashtëm Dendias. Dhe ka gjasa që këtë vizitë ta kthejë në Athinë zonja Gërvalla. Të gjitha këto, së bashku me hapjen e zyrës greke të përfaqësimit në Kosovë, janë hapa drejt njohjes.

Po ashtu është njoftuar se Spanja do ta hapë zyrën e saj të përfaqësimit në Prishtinë. Zoti Borrell, si i ngarkuar për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Evropë, duket se ka reflektuar ndaj qëndrimeve të tij kur ai ishte ministër i Jashtëm I Spanjës dhe në vizitën e tij në Beograd deklarohej se "Spanja kurrë nuk do ta njohë Kosovën"! Tani ai duhet të shohë më mirë drejt të ardhmes evropiane. Dhe nuk ka të ardhme sa kohë që Kosova mbetet si delja e zezë e Ballkanit Perëndimor. Njohja e Kosovës nga ana e Spanjës dhe e Greqisë është gjysma e punës për të realizuar njohjen e plotë të saj nga BE. Kjo sepse të dyja këto vende kanë një lidhje të ngushtë midis tyre dhe ndikim në Qipro dhe vende të tjera spanjisht folëse.

Por edhe Rumania e Sllovakia nuk ngurojnë aq fort ta njohin shtetësinë e Kosovës. Në Sllovaki luan një rol të caktuar vetë ndërmjetësi evropian i dialogut, Miroslav Lajçak. Ndërsa Rumania ndodhet përballë një realiteti, të cilin nuk ka pse ta refuzojë për ta akceptuar. Në fund të fundit të dy këto vende duan që të parandalojnë projekte si ai që çon në ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ndryshimi i kufijve do të ishte sinjal i drejtpërdrejtë se Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro do të duhet t'u nënshtrohen operacioneve territoriale. Ndërsa pavarësia e Kosovës është pasojë e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb në Kosovë, gjë që nuk ka pse vlen si ekuivalencë për "të drejtën e pakicave" në këto vende, të cilat mendojnë se kërcënohen me ndarje të territorit.

Një marrëveshje e kushtëzuar me njohjen e pesë vendeve anëtare të BE-së është për Kosovën një marrëveshje e dobishme, sepse i hap rrugën integrimeve euro-atlantike të saj. Dhe në fund të fundit ky integrim e vendos fatin e Kosovës në Bashkësinë Ndërkombëtare, madje më shumë sesa pranimi në OKB. Por dobia e saj nuk përcaktohet thjesht nga njohja e këtyre vendeve. Qeveria e Kosovës dhe zoti Kurti do të përballen me një presion të dukshëm për të pranuar një zgjidhje që i jep koncensione Serbisë në këmbim të firmës së saj edhe për një marrëveshje si kjo. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë në dijeni prej kohësh për një lëvizje si kjo. Madje ai e ka paralajmëruar një marrëveshje me Kosovën, në të cilën ai nuk pranon njohjen dhe pranimin e saj në OKB. Kjo do të thotë se projekti në fjalë i është bërë i njohur Serbisë. Por Beogradi edhe për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kërkon të përfitojë diçka.

Në tregun mediatik janë hedhur dy elementë të asaj që mund t'i konsiderojmë si lëshime të qeverisë së Kosovës. Këta elementë janë krijimi i një rajoni autonom në veri të vendit dhe ekstraterritorialiteti i kishave dhe manastireve serbe në Kosovë. Për rajonin autonom është përmendur modeli i Tirolit Jugor në jug të Austrisë dhe veri të Italisë. Duhet parë si model. Duhet konsideruar, por me kusht që të ruhet karakteri unitar dhe multietnik i Kosovës dhe të kontrollohet prania e Serbisë në këtë rajon. Të kushtëzohet kjo prani me kërkesën që në asnjë rast Serbia të mos punojë për shkëputjen e këtij rajoni nga shteti i Kosovës. Nëse ndodh që Beogradi bën obstruksione kundër shtetit të Kosovës, atëherë të njihet e drejta e heqjes së autonomisë. Çdo përpjekje e Beogradit për cenimin e sovranitetit të Kosovës duhet të marrë përgjigje dhe fund me këtë marrëveshje. Ndryshe gjithçka është e kotë.

Ndërsa sa i përket ekstra-territorialitetit të kishave dhe manastireve, u duhet thënë Uashingtonit dhe Brukselit se kjo është parashikuar në marrëveshjet e kaluara dhe pakon e Ahtisarit, si dhe është respektuar nga institucionet e Kosovës. Ndaj nuk ka asnjë arsye shtesë pse do të duhej një thellim i kësaj të drejte të serbëve në Kosovë. Duhet demantuar kjo edhe me shembuj analogë, me shqiptarët në Luginën e Preshevës, madje dhe ata në Maqedoni, me myslimanët e Sanxhakut ose hungarezët e Vojvodinës. A kanë këto rajone ekstra-territorialitet për institucionet e kultit, sipas besimit që ushtrojnë? Sigurisht që jo. Duhet paralajmëruar gjithashtu qëllimi i Serbisë se me këtë akt në Kosovë do të tentojë të vendosë urat e provokimit edhe në Mal të Zi dhe vende të tjera të rajonit.

Gjithsesi dialogu nuk ka alternativë. Bojkoti i PDK-së i ndërmjetësuesit të BE-së është i dëmshëm, sepse provokon bllokimin e dialogut. Ndërkaq Hashim Thaçi duhet izoluar në komunikimin e tij me Kosovën, sepse përmes këshilltarëve dhe bashkëpartiakëve të tij po tenton të dizinformojë publikun ose ta dëmtojë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat