Disa përngjasime të taktikave të UÇK-së me ato të Skënderbeut

Opinione

Disa përngjasime të taktikave të UÇK-së me ato të Skënderbeut

Shpëtim Golemi Nga Shpëtim Golemi Më 17 janar 2022 Në ora: 13:24
Foto ilustrim

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar dhe 36 vjetorit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) më lejoni  që, përmes kësaj kumtese të sjell disa  përngjasime të luftës për liri e pavarësi të popullit shqiptar në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve politikë të Republiks së Shqipërisë londineze.

I

Nga historia dimë se një pjesë e  Kosovës u pushtua nga forcat osmanenë vitin 1455. Ndërsa menjëherë pas vdekjes së Skëndërbeut osmanllinjtë krijuan këtu një njësi administrative të veçantë, të quajtur “Vilajeti Vukut” (nga emri i ish sundimtarit serb të krahinës), duke bërë edhe regjistrimin e pronave dhe të popullsisë në një defter të veçantë. Brenda kësaj njësie administrative u përfshinë nahija e Rozhajës, Drenica, Dollci, Morava, Vushtria, Topollnica, Prishtina dhe Llabi. Jashtë këtij vilajeti të atëhershëm kishin mbetur Prizëreni, Gjakova, Peja dhe Istogu. Vetëm gjatë mbretërimit të Sulltan Mehmetit II (1451-1481) e tërë hapësira e Kosovës ra përfundimisht nën sundimin osman.

II

Gjergj Kastrioti-Skëndebeut prej shkullit të XV e në vijim ka qenë e ka mbetur burim frymëzimi  jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për rezistencë e luftë për të shpëtuar nga shtypja e të huajve, por edhe për të ruajtur ndjenjën kombëtare ndër të gjithë shqiptarët, si të atyre që kanë jetuar e jetojnë në trojet shqiptare, por edhe të gjithë shqiptarëve të tjerë që kanë lindur e jetojnë ndër shekuj larg këtyre  trojeve, përmes njohjes së epokës së lavdishme të Skënderbeut. Kjo edhe ngaqë Skënderbeu u shndërrua dhe ka mbetur simbol i kombit shqiptar dhe i krenarisë së tij.

Kthesa rrënjësore e rezistencës së shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut, edhe në Kosovë, ishte një vazhdim i natyrshëm i kryengritjeve të shqiptarëve për liri, të cilat u shkaktuan nga ndryshimet thelbësore që sillnin në jetën e shtresave të ndryshme të shoqërisë së atëhershme përpjekjet e osmanllinjve për të vendosur pushtetin e tyre nëpërmjet zbatimit të sistemit të timarit.

Ndërsa në kohën e Skënderbeut, në shekullin  XV, është Shqipëria e Mesme me Krujën heroike në krye ajo që qëndroi si kështjellë e pamposhtur, ndërsa në shekullin e XVI dihet që u bë Dukagjini vatër trazimesh e kryengritjesh kundër sistemit timareve, e cila ju imponua, dhe që e shohim te fermani i 22 shtatorit 1560, ku thuhet: 

“Në sanxhakun e Dukagjinit në krye të lëvizjes së shquar kryengritëse gjendet personalitetit i quajtur Pjetër Bogdani, nga fshati Dush.” (Gjyshi i Pjetër Bogdanit ishte prift letrar)

Përsëri në fermanin e datës 28 shkurt 1565 bëhet e ditur se: “18 fshatra të krishterë të Dukagjinit janë në gjendje kryengritëse”. 

Ndërsa viti 1568 është pothuaj vit kryengritjesh, që përfshimë gati të gjithë fshatrat e vilajetit të Kosovës, të cilën na e tregojnë fermanët e Portës së Lartë në Tetorin dhe  Nëntorin e vitit 1568. 

Edhe në vitin 1569, si dhe 1570, në vitin kur formohet “Lidhja e Shenjtë e Shteteve Eropiane” kundër turqve, të cilën na e konfirmon një ferman i vitit 1570, vërtetihet se edhe në kohën e sulltanit Sulejman të Madhërishëm, u përdor çdo mjet për të qetësuar dukagjinasit duke shkaktuar dëme të mëdha me ekspeditat e tij të ndëshkimore kundër shqiptarëve kryengritës. 

Dhe po të vijojmë e t’i rreshtojmë të gjitha kryengritjet dhe rebelimet e ndryshme të shqiptarëve në Kosovë, pas nënshtrimit të plotë të saj nga Perandoria Osmane e më pas, prej vititve ’70 të shekullit të XIX nën pushtimin serb e deri në Luftën Çlirimtare në fund të shekullit të XX, (1997-1999), për gati 530 vjet pushtim, rezulton se mesatarisht kemi pasur një kryengritje apo një revolë në çdo 3 vjet, të cilën e tregon bukur edhe vargu popullor:

Kosova e ka adet,  

Për çdo vit  

Vret ka nji mbret.

III

Nuk thuhet më kot, se historia përsëritet. Dhe është shumë interesante se si themelimi i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK e më pas LPK), thënë ndryshe “Lindja e përgjakur” e LPK-së, ndodh pikërisht në ditën e 514 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut; saktësishtë më 17 Janar 1982! 

Jo vetëm që kjo ishte thjeshtë një lindje e lëvizjes për rezistencë të armatosur për liri e popullit shqiptar që jetonte në ish-Jugosllavi, por edhe  një vdekje dhe betim si ai i 17 janarit të vitit 1468 para trupit pa jetë të Skënderbeut. Ndërsa në këtë rast, para trupit pa jetë të vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekës.

Themelimi i LPRK ishte një vijim i rezistencës të pandërprerë 514 vjeçare e popullsisë shqiptare në viset shqiptare në Jugosllavi. 

Ajo Lëvizje lindi kur kriza politike e regjimit serbo-sllav të pushtimit në Kosovë kishte arritur në një ashpërsim të madh e shprehur kjo më fuqishëm me demonstratat e vitit 1981 jo vetëm në Kosovë porn ë të gjitha trevat shqiptare në ish Fderatën Jugosllave, të cilat përbëjnë një epope shqiptare. 

Shqiptarët në Kosovë dhe ish-Jugosllav për herë të parë treguan një vitalitet të tillë masiv që nuk ishte njohur deri atëherë në të tilla përmasa. Ata, gjithashtu, bënë të ditur se janë popull me vetëdije të formuar kombëtare; se kanë synime të qarta politike dhe se rrethanat historike dhe tragjeditë nëpër të cilat kaluan, nuk arritën të zhbëjnë substancën e tyre. 

Përmes demonstrative të viteve 1981-1982 faktori shqiptar, për herë të parë pas një kohe të gjatë, bëhet i rëndësishëm në Ballkan. Demonstratat e vitit 1981-1982 ishin vazhdimësi e atyre të vitit 1968. Në ato demonstrata morrën pjesë të gjitha shtresat e popullsisë, përveç burokracisë politike dhe shtetërore dhe inteligjencës krijuese shqiptare, (pavarësisht se ka pas intelektualë të veçantë prej tyre që u aktivizuan në ato demonstrata). Numerikisht më të shumtë në ato rebelime dhe më të vendosur ishin të rinjtë, studentët dhe nxënësit, pastaj popullsia e qyteteve dhe pjesërishtë fshati. Por, kur shpërtheu Lufta Çlirimtare në vitet 1997-1999, raporti i popullsisë pjemarrëse në luftë kaloi në anën e popullsisë fshatare. 

Dalja në skenë e legjendës Adem Jashari nuk ishte rastësi, por vijim i asaj rezistence, e cila rezultoi me krijimin e një ushtrie të vërtetë çlirimtare, me emërin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 

IV

Nëse do të analizojmë artin e luftës të përdorur nga UÇK-ja kundër pushtuesve serbë, me syrin e një ushtaraku që e ka pëtrjetuar këtë luftë, na rezulton se ajo në shumë aspekte, për bazë politike ka pasur pothuajse të njëjtën strategji politike si të Skënderbeut: Luftën për mbrojtjen e popullsisë dhe çlirimin e Kosovës; ndërsa, si detyrë të largët, bashkimin e Kosovës dhe gjithë trojet e tjera shqiptare në një shtet të vetëm.

Në këtë kumtesë do të përqëndrohem kryesisht në paraqitjen shkurtimisht të disa prej tipareve karakteristike të strategjisë dhe taktikave të UÇK-së krahasuar me strategjinë dhe taktikat e përdorura nga Skënderbeu.

Dimë që strategjia e taktikat që përdori Skënderbeu ishin bazuar në luftën e gjatë popullore. Fillimish edhe strategjia dhe taktikat e UÇK-së u bazuan në luftën e gjatë popullore, sipas strategjisë: armikun e fuqishëm mund ta mposhtësh duke e asgjësuar pjesë-pjesë, për ta detyruar ai të heqi dorë nga pushtimi shekullor, pavarësishtë se kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare e detyruan më pas UÇK-në të hiqte dorë nga lufta e gjatë popullore. 

Forma kryesore e luftës së UÇK-së, që solli përfundimisht çlirimin e Kosovës, ishte mësymja, sikundër ishte edhe tipari kryesor i gjithë luftrave të Skënderbeut.

Ashtu sikundër Skëndërbeu kombinonte veprimet mbrojtëse me ato të grupimeve  sulmuese, ky tipar u vërejt edhe në shumë etapa të luftës së UÇK-së, sidomos në Zonën e Dukagjinit.

Ashtu sikundër Skënderbeu nuk i kishte asnjëherë të njëllojta formacionet e veta luftarake,  edhe brigadat dhe zonat operative të UÇK-së nuk ishin asnjëherë të njëllojta; madhësia e tyre duhej të ishte në përshtatje me hapësirën ku vepronin dhe me sasinë e pritshme të armikut në ato drejtime.

Forma më e përshtatshme e manovrës së Skënderbeut ishte shpinëmarrja dhe krahmarrja, duke i gërshetuar ato me goditjen përballë. Në shumë raste, këtë lloj manovre e përdorën edhe një pjesë e zonave operative të UÇK-së, por me një ndryshim: në shumicën e kohës UÇK-ja i dha përparësi mbrojtjes, prandaj pësoi edhe një lloj disfate në luftën e saj gjatë verës së  vitit 1998.

Ashtu sikundër Skëndërbeu, i cili, në themel të strategjisë kishte parimin: Me forca  më të pakta ta detyronte armkun të hiqte dorë nga lufta; edhe UÇK-ja, përmes zbatimit të këtij parimi e detyroi në shumë raste armikun të hiqte dorë nga reprezaliet. Kjo arrihej falë faktit që UÇK-ja kishte epërsi morale në raport me forcat e armikut.

Taktika e Skëndërbeut u dallua nga përpjekjet për t’i rrëmbyer inisiativën armikut; 

këtë taktikë e patën edhe disa nga zonat operative të UÇK-së, si në Dukagjin dhe në zonën e parë e të dytë operative, pore dhe në malësinë e Gollakut, pavarëishishtë se jo në të gjitha rastet iu arrit qëllimit.

Skënderbeu grushtin kryesor e jepte jashtë kështjellave, në atë drejtim dhe kundër atij objekti që duhej, për ta shpartalluar armikun pjesë-pjesë. E tillë ishte edhe strategjia dhe taktika e UÇK-së në disa nga rastet më vendimtare. Ndër më tipiket mund të përmendim atë të sulmeve të njëkohëshme nga shumë drejtime prej Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit, datat 1 dhe 2 maj 1999. 

Ngjashëm ndodhi edhe me forcat e Zonës së Dytë Operative dhe një pjese të Zonës Parë Operative, në mesnatën e 31 mars 1999 duke gdhirë 01 prill. Mund të themi se ndodhi ngjashëm si në rrethimin e dytë të Krujës nga sulltan Murati. Ai shpërthim rrethimi nga ana e forcave tona, duke e vënë armikun midis dy zjarreve nga një ushtri guerile, në mënyrën më të befasishme të 4.000 forcave tona, në sektorin më të fuqishëm të armikut, ku as që mund ta parashikonte. Kjo bëri të mundur që forcat serbe të hiqnin dorë nga ai rrethim me perimeter prej 33 km si dhe  nga “Operacioni Potkoi”. 

Kjo disfatë e atij Divizioni të Këmbsorisë së Motorizuar i Ushtrisë Serbe, mund të themi pa droje, se është e ngjashme me heqjen prej Sulltan Muratit të Rrethimit të Dytë të Krujës. Ngjashmërinë e gjejmë të përshkruar prej Barletit, i cil shkruan: “Murati vendosi ta largonteushtrinë nga Epiri e të kthehej në Adrianopojë, pasi e shikonte se për atë qytet duheshin forca më të mëdha. Kështu, pra, ditën para një gushtit mblodhi e nisi përpara, me një pjesë të kalorësisë, gjithë plaçkat dhe stremat. Të nesërmen u nis edhe vetë pas tyre bashkë me ushtrinë tjetër në kohën sapo kishte lindur dielli dhe pas një zhurme që lëshuan me anë të mjeteve të luftës, duke fluturuar të gjithë nga gëzimi dhe duke bërtitur.” (Barleti, f.301).

Edhe forcat e motorizuara e të blinduara të armikut që ishin grumbulluar në luginën e lumit Mirushë, kur e panë se nga rrethues ishin shndërruar në të rrethuar, u bindën se nuk mund ta mbanin më rrethimin, dhe sapo zbardhi dita pas një zhurme që lëshonin motorrat e mjeteve të shumta luftarake, u tërhoqën. Popullsisë gati 150 mijëshe, e cila kishte lënë 60-70 fshatrat si dhe shumë qytetarë të Malishevës, Shtimjes, Suharekës e Gllogovcit dhe prej gati dy javë ishte grumbulluar në malet e Berishës, iu lehtësua së tepërmi pikëllimi dhe u rrit shpresa dhe besimi që kishin te UÇK-ja; dhe, me të ikur armiku u kthye shëndosh e mirë në vendbanimet e tyre.

Skënderbeu dhe ushtria e tij kishin besim në fitore. Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesa massive e popullsisë së Kosovës kishin besim në fitoren e luftës. Kjo shpjegohet me faktin, se Lufta Çlirimtare e Kosovës shpërtheu në formën e një bumi menjëherë pas betejës së Prekazit, edhe pse pothuajse të gjithë udhëheqësit e forcave politike shqptare të Kosovës si dhe pjesa dërmuese e inteligjencës së saj deklaruan botërisht, se “UÇK-ja nuk mund ta fitoi luftën me Kallashnikovë”. Kjo propagandë titiste-shqiptare anti-UÇK, thënë ndryshe armiqësi e popullit shqiptar në gjirin e vet popullit, ndikoi negativisht pothuajse në shumicën e formacioneve të UÇK-së pranverën dhe verën e vitit 1998, gjë që solli tërheqjen e ndjeshme nga sulmi. Por, falë faktit që në fillim të Gushtit 1998 në krye të politikës udhëheqëse të UÇK-së doli simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi. Marrja në dorë e udhëheqjes politike të Luftës Çlirimtare në Kosovë nga ana e Adem Demaçit ndodhi korigjimi si në strategji edhe në taktika nga ana e UÇK-së, gjë që bëri të mundur të fitohej përsëri besimi në fitore.

Përfundimisht mund të them se, Arti Ushtarak i Skëndërbeut s’është gjë tjetër veçse Arti Ushtarak i kombit luftarak shqiptar; prandaj, edhe studimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës për shkencën tonë ushtarake, nuk duhet të ketë për qëllim vetëm njohjen e historisë së kësaj lufte çlirimtare, por edhe për të nxjerrë në pah veçori të tjera të Artit Ushtarak Shqiptar. 

Shkup, 17 Janar 2018, në Sipoziumin e organizuar nga Shoqëria “Lëvizja” me rastin e 550 vjetorit të Vdekjes së Skëndërbeut dhe 36 vjetoin e LPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat