Ngrihet nga tavolina dhe aq! - Bota Sot
Ngrihet nga tavolina dhe aq!

Opinione

Ngrihet nga tavolina dhe aq!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 31 gusht 2018 Në ora: 20:10
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot edhe njëherë tregoi se nuk është një kryeministër i duhur për vendin, pasi në deklaratat e tij rreth dialogut me Serbinë për territoret e Kosovës, tha se do të ngritët nga çdo tavolinë që përmendet kjo temë.

Kjo nuk është e mjaftueshme për Haradinajn, pasi ai si kryeministër i Kosovës ka kompetenca ekzekutive që të ndërhyjë më shumë se kush do tjetër që ta ndal presidentin Thaçi nga kjo lojë e rrezikshme për vendin tonë.

Ngritja jote nga tavolina kur përmendet tema e territoreve, nuk i pengon aspak presidentit Thaçi, madje, atij i bëhet qejfi nga kjo punë, sepse mund të flas lirshëm me “miqtë” e tij serb.

Haradinaj nuk mund ta ndihmojë vendin nëse ngrihet nga tavolina, përkundrazi është e domosdoshme qëndrimi i tij aty, për ta përcjellur zërin e qytetarit kundër prekjes së territoreve.

Këto deklarata të Haradinajt nuk janë gjë tjetër përpos një ikje nga përgjegjësia si i pari i qeverisë së Kosovës, duke tentuar ta ruaj nderin e tij, kinse nuk ka gisht në marrëveshjet me Serbinë, sidomos në marrëveshjet ku cenohet integriteti i vendit tonë.

Por, nderi i tij është fundosur në mars të këtij viti, kur nënshkroi humbjen e 8000 hektarëve tokë të Kosovës, duke ia dhënë Serbisë, pas gjithë asaj zhurme që bëri sa ishte në opozitë.

Mos të mashtrohet opinioni i Kosovës nga “përplasja” Thaçi – Haradinaj, pasi ato deklarata të tyre kundërthënëse janë vetëm sa për sy të publikut që Haradinaj të mos jetë i përfshirë në këtë lojë. Por, ai po harron se është kryeministër i këtij vendi dhe çfarëdo marrëveshje me Serbinë që është në dëm të Kosovës, do të jetë e mbuluar edhe me hijen e Haradinajt.

Ne e dimë që nuk mund ta ndalësh Thaçin nga kjo marrëveshje. Nuk ke fuqi për atë. Mirëpo bashkohu me qytetarin e Kosovës në këtë betejë për ta ndalur atë, të paktën sa nuk të ka rrëzuar ai ty nga qeveria. Gjithsesi, shumë shpejt Haradinaj do të jetë i shkarkuar nga populli, së bashku me presidentin Thaçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...