​“Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar promovimin e muzikës jazz

Peja

​“Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar promovimin e muzikës jazz

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 11:53
​“Peja Jazz”

“Anibar” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e vazhdojnë organizimin e “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit. Një vit më vonë “Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës jazz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri.

Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut bandeonistin italian, Daniele di Bonaventura, një muzikant i jashtëzakonshëm, shoqëruar nga miku i tij prej 30 vjetësh, kitaristi Roberto Zechini.

“Publiku do ta prekë nga afër edhe performancën e “AJS Quartet” nga Tirana, me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura. "AJS Quartet" tash dhjetë vjet, përveçse njihet si grupi më i suksesshëm i xhaz-skenës shqiptare, është edhe avokues i xhazit bashkëkohor ballkanik. Rrugëtimi i sivjetmë do të përmbyllet me kitaristin shkodran Kejdi Barbullushi, student në Vjenë dhe një nga muzikantët e dalluar të gjeneratës së re të muzikantëve shqiptarë. Në “Peja Jazz” vjen me formacionin e tij të themeluar së voni, bashkë me dy multiinstrumentistë të xhaz-skenës kosovare: Visar Kuçi dhe Enes Beu. Programi “Matinée” sivjet zëvendësohet me “MirëmënJAZZ”, si thirrje për t’i kaluar mëngjeset së bashku duke risjellë fonotekën e “Peja Jazz” dhe jo vetëm. Ju mirëpresim nga 15 deri më 17 dhjetor në Kinemanë "Jusuf Gërvalla", thuhet në njoftim.

Ky edicion i "Peja Jazz" është kuruar nga Dardan Selimaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat