“A e dini kush jam unë”/ Pronari në Pejë fyen dhe ndjek inspektorët që e gjobitën për mosrespektim të Ligjit anti-duhan

Peja

“A e dini kush jam unë”/ Pronari në Pejë fyen dhe ndjek inspektorët që e gjobitën për mosrespektim të Ligjit anti-duhan

Më: 30 prill 2023 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Ndonëse Ligji i cili ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike, ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera, ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, as sot e kësaj dite nuk gjen zbatim. Kjo bën që inspektorët sanitarë përgjatë kontrolleve të shqiptojnë gjoba për biznese të ndryshme.

E gjatë punës së tyre, ata shpeshherë hasin në probleme me pronarë lokalesh, të cilët në shenjë revolte shpërthejnë në gjuhë ofenduese ndaj tyre.

Burimet kanë bërë me dije se kështu ka ndodhur së fundi në lokalin ‘Zade’ në Pejë.

Pasi brenda hapësirave të lokalit u gjet se nuk zbatohet Ligji kundër duhanit, inspektorët sanitarë kanë shqiptuar gjobë prej 500 eurosh. Por kjo s’i ka pëlqyer fare pronarit të lokalit, i cili dyshohet se u është drejtuar inspektorëve me fjalë banale e duke i kërcënuar se do t’i rregullojë ata.

Mësohet se pasi janë larguar që aty dhe janë nisur në drejtim të një komune tjetër, inspektorët sanitarë kanë hasur në një bllokadë nga një veturë të cilën dyshohet se po e drejtonte pronari i ‘Zade’.

Si rezultat i denoncimit në organet e rendit, hetuesit policorë kanë intervistuar 50-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Ngacmim’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat