Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë për tentim vrasje në Istog

Peja

Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë për tentim vrasje në Istog

Më: 23 prill 2025 Në ora: 09:31
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.M., për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, në bazë të nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 5 shkurt 2025, rreth orës 20:00, në fshatin Stupe të Istogut, pas një konflikti të nisur përmes rrjetit social “Snapchat”, i pandehuri ka shkuar në oborrin e të dëmtuarit, ku fillimisht e ka ftuar në telefon dhe i ka rënë borisë së automjetit për ta nxjerrë jashtë.

Në momentin kur viktima i është afruar automjetit, B.M. dyshohet se i ka hedhur sprej në fytyrë dhe më pas e ka goditur disa herë me një shufër metalike në kokë dhe dorë, duke i shkaktuar dëmtime serioze trupore.

Pas sulmit, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku lëndimet janë konstatuar si të rënda dhe të rrezikshme për jetën.

Prokurori i çështjes ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me dispozitat ligjore për veprën penale që i vihet në barrë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat