Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ku uroi të diplomuarit për suksesin e tyre dhe theksoi rëndësinë e kontributit të tyre në zhvillimin e vendit.
Kurti vlerësoi investimet në këtë universitet nga viti 2021 deri në 2025, përfshirë ndërtimin e ndërtesës së re për Fakultetin e Biznesit dhe Turizmit me vlerë prej 4,3 milionë euro, si dhe ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit që pritet të përfundojë në vitin 2027 me një investim prej 3,2 milionë euro, njofton Zyra e Kryeministrit.
Ai, pos tjerash, përmendi edhe përmirësimin e renditjes ndërkombëtare të universitetit në platformën Webometrics si dëshmi e angazhimit të stafit akademik dhe mbështetjes institucionale.
Në fund, Kurti uroi studentët për të ardhmen, duke i inkurajuar që ta përdorin diplomën si bazë për kontribut të vlefshëm në shoqëri.