Monumenti në Pejë ku fëmijët mësojnë shkronjat e para dhe nderohen nxënësit e vrarë në luftës

Peja

Monumenti në Pejë ku fëmijët mësojnë shkronjat e para dhe nderohen nxënësit e vrarë në luftës

Më: 2 shtator 2025 Në ora: 19:36
Pamje nga videoja

Prej 20 vitesh, në hyrje të “Parkut të lapsave” në Pejë, janë vendosur tri shkronja të mëdha, “ABC”.

Ato i ka punuar skulptori Besnik Lajqi, dhe simbolika e tyre është mjaft e veçantë.

Janë kujtim për nxënësit e vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Ideja nisi kështu se unë kam qenë pjesëmarrës në luftë kom pa shumë fëmijë, nxënës të masakruar, të vramë kështu që jam ndier ton kohen keq, e kështu në vitin 2005 mendova të bëj diçka për ata e kështu vendosa në shenjë të respektit, të gjakut të atyre nxënësve që u masakruan nga regjimi fashist serb vendosa që ti vendos  3 shkronja ABC kështu që me kohen i vendosa duke falënderua edhe një mik timin që me ndihmoi me idea të tij gazetarin Marin Kelmendi”, thotë ai.

Ish-ushtari i UÇK-së, është i lumtur që ky monument, shpesh është vendi ku të vegjlit mësojnë tri shkronjat e para të alfabetit.

“Unë ndihem shumë mirë kur të paktën fëmijët kalojnë këtu edhe bëjnë foto dhe mësojnë tri shkronjat e para ABC. Të vegjlit nuk e kanë kohën ta kuptojnë por gradualisht në të ardhmen do ta kuptojnë  siç e kanë kuptu edhe tjerët fëmijë të cilët në atë kohë ishin 5-6 vjeç sot janë 25 vite edhe më përshëndetin rrugës dhe ju kujtohet ajo ditë kur e zbuluam këtë ABC ku i shpërndava 300 abetare, 300 lapsa dhe 300 fletore”, shprehet Lajqi.

Të gjitha shpenzimet për këtë punim, Lajqi i ka mbuluar vet.

“Me të thon të drejtën unë kom kursy, por m’ka kushtu një shumë kogja e madhe atëherë se nuk kishte material por gjitha shpenzimet vet i përballova. Kështu edhe nxënësve në Drelaj ua bleva një minibus që të shkojnë në shkollë por fatëkeqsisht ajo shkollë u mbyll dhe minibusin e ka drejtoria e arsimit të Pejës”, thotë ai.

Kjo nuk është shenja e vetme e Lajqit në qytetin e Pejës.

Ai ka të vendosura punime, edhe në lagje të tjera të qytetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat