​Ilir Meta pranon Çelësin e Prishtinës

Prishtina

​Ilir Meta pranon Çelësin e Prishtinës

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 16:45
Ilir Meta dhe Përparim Rama

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka pranuar Çelësin e Prishtinës nga kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Përparim Rama. Kjo u bë në kuadër të vizitës që Meta po e zhvillon në Kosovë në ditët e fundit si president i Shqipërisë.

Dy ditë para se zyrtarisht të dorëzojë postin e kryetarit të shtetit, presidenti i Shqipërisë u shpall qytetar nderi i Komunës së Prishtinës.

Gjatë takimit me të parin e Prishtinës, Meta tha se kryeqyteti po tregon se po bëhet një qendër kulturore.

Meta: Prishtinës iu kthye një profesionist i niveleve më të larta botërore

“Jam shumë i lumtur për këtë takim që kemi këtu, jam i lumtur që ju kthye Prishtinës një profesionistë i niveleve më të larta ndërkombëtare dhe është një mesazh i mirë që të gjithë të rinjtë intelektualët tanë që formohen në shkollat më të mira të kthehen dhe të marrin përgjegjësi publike. Më ka impresionuar shumë vizioni juaj që kam dëgjuar në takimin tonë të parë. Mezi pres të shikoj sa më shumë rezultate të këtij vizioni, ndërkohë e di që nuk është e thjeshtë dhe e lehtë”, tha Meta.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e falënderoi presidentin shqiptar për kontributin e tij për Kosovën dhe e ftoi atë të jetë pjesë e ngjarjeve të mëdha kulturore që po mbahen në vend, siç është Manifesta.

Rama: Prishtina në kulmin botëror për art e kulturë

“Jeni të mirëseardhur në kryeqytet, e prej sot e tutje jo vetëm si vizitor mirëpo edhe si qytetar i nderit të kryeqytetit. E keni çelësin e kryeqytetit tonë por edhe zemrave tona kështu që shpresoj të vazhdojmë edhe pas postit presidencial të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, kryeqyteti tani është edhe i juaji... Prishtina është në këto 100 ditët e ardhshme në kulmin botëror për art e kulturë kështu që mburremi me këtë dhe shpresoj që ta vazhdojmë së bashku, jo vetëm Prishtina por edhe Shqipëria, së bashku jemi një dhe të vazhdojmë si një prej tash e në të ardhmen”, tha Rama.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Ilir Meta është takuar me krerët e institucioneve të shtetit dhe ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat