Qendra e re e padelit, Terra Padel Society, është hapur zyrtarisht në Prishtinë, në një ceremoni të shoqëruar edhe me organizimin e një turneu të këtij sporti.
Ndonëse qendra kishte nisur aktivitetin disa muaj më parë, duke mirëpritur komunitetin e padelit dhe Federatën e Padelit të Kosovës, hapja zyrtare u shënua gjatë fundjavës së kaluar.
Terra Padel Society kishte qenë nikoqire edhe e turneut ndërkombëtar FIP Bronze Prishtina, duke dëshmuar gatishmërinë për të organizuar gara të nivelit ndërkombëtar.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka mbështetur zhvillimin e këtij sporti në vend.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe turneu i padelit, ku kampionë u shpallën Lorik Rexhepi dhe Fresk Sylhasi.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Padelit, Jusuf Kika, bëri të ditur se synimi për vitin 2027 është shtrirja e këtij sporti në sa më shumë qytete të Kosovës dhe përfshirja e më shumë të rinjve në aktivitete sportive e gara.
Hapja e Terra Padel Society përfaqëson një tjetër investim në infrastrukturën sportive dhe në zhvillimin e padelit në Kosovë.